Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur këtë të mërkurë një kabllogram drejtuar të gjitha përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës anembanë botës, ku iu kërkohet zyrtarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor deri më 20 dhjetor.
Lajmi publikohet nga agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila ka mundur të disponojë një kopje të kabllogramit.
“Ambasada e Tel Avivit dhe Konsullata e Përgjithshme e Jeruzalemit u kërkon vizitorëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor, nga data 4 dhjetor deri më 20 dhjetor 2017”, thuhet në kabllogramin e publikuar pak minuta më parë.
Në kabllogram, megjithatë, nuk specifikohet arsyeja e kësaj kërkese.
Gjithsesi, një gjë e tillë është fort e kuptueshme që mund të ketë lidhje me tensionimin e situatës në Lindjen e Mesme, pasi brenda pak minutash presidenti Donald Trump do të mbajë një fjalim ku do të njohë zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Fjalimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë do të pasohet nga një tjetër fjalim i kreut të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.
a.ç