Speciale JAVANEWS/ Është edhe njëherë sporti i peshëngritjes ai që ngre lart flamurin tonë në arenën ndërkombëtare dhe bën krenar një komb të tërë. Sërish talentet e ekipit kombëtar sjellin medalje, por ky sport mbetet me njëmijë e një probleme. Rasti i Botërorit të fundit në SHBA ishte treguesi më i fundit i problematikave dhe lënies pas dore madje të sportistëve që në kushte skandaloze arrijnë edhe të marrin rezultate historike. Por për sa kohë talentet do sakrifikohen…?
Medalja e arit në stilin e shkëputjes që siguroi peshëngritësja Romela Begaj në kategorinë 69 kg, dhe vendi i dytë në stilin e shtytjes, ishin një moment ku të gjithë kthyen sytë edhe njëherë nga sporti që përherë i ka dhënë shumë këtij vendi. Vëmendja këtë herë ishte edhe njëherë te nxitimi për të shpërndarë mesazhe urimi dhe krenarie. Por sërish vetëm kaq. Problemet e shumta të këtij sporti që edhe këtë herë u vunë në pah, mbetën aty. Nga mungesa e organizimit të ekipit kombëtar, te kushtet e mjerushme të stërvitjes, problemet me trajtimin e sportistëve, për të mos folur për trajtimin financiar.
Triumfi që nuk fsheh gjendjen e mjerueshme të sportit
Në botërorin e fundit në SHBA i pamë të gjitha: përjashtimin e Daniel Godellit që premtonte medalje pasi iu refuzua viza, humbjen e ndjenjave nga peshëngritësi Çalja pasi la pedanën, dhe në fund një arritje historike, medalja e artë nga Romela Begaj. Pikërisht ky triumf duket se bëri të kalojnë në plan të dytë problemet e shumta, që e çojnë federatën tonë në një nivel thuajse amator. Një ekip kombëtar që udhëton në një event të rëndësishëm pa fizioterapist shkruan JavaNews. Dhe rezultatet u panë qartë, 3 sportistët Romela Begaj, Erkand Qerimaj dhe Briken Çalja shfaqën probleme fizike.
Peshëngritësi Qerimaj ishte vetëm 1 kg larg medaljes, dhe kjo vetëm për shkak të problemeve fizike që ai pati. “Një kile larg medaljes në Botëror, me sa duket nuk ishte dita ime. Por edhe bllokimet muskulore të këmbëve ndikuan. Kështu është kur ekipi ynë kombëtar nuk ka një fizioterapist në Botëror”, shkruante me keqardhje talenti i shtangës.
Një moment që kaloi pa shumë zhurmë ishte edhe humbja e ndjenjave nga peshëngritësi tjetër Briken Çalja, pak pasi ai garoi dhe la pedanën. Pyetja që ngrihet është se a janë trajtuar nga stafi mjekësor sportistët? Vështirë të thuhet, nëse kemi parasysh se sportisti humbet ndjenjat sapo lë pedanën shkruan JavaNews.
Mungesa totale e organizimit, u pa që në nisje të eventit. Shqipëria mori një goditje të rëndë pas peshëngritësit Daniel Godelli, i cili premtonte medalje në botërorin e SHBA-së iu refuzua viza. Sigurisht që ky nuk mund të jetë faji i federatës, por nuk u pa asnjë lëvizje në mënyrë që sportisti të suguronte pejsëmarrjen në botëror.
Dhe pavarësissht këtyre problemeve, si gjithmonë ky sport ngre lart flamurin tonë, Romela Begaj triumfon por edhe në këtë moment ndodh diçka shumë e shëmtuar për imazhin. Krahas flamujve të tjerë, ai yni duket më i vogël dhe i një cilësie mjaft të dobët.
Kushtet skandaloze të stërvitjes
Rruga e gjatë drejt triumfit të Romela Begajt, dhe rezultatit të mirë të Qerimajt e Çaljat, sigurisht ka kaluar përmes seancave të forta të stërvitjes dhe vullnetit të hekurt. Por, cila është gjendja e palestrave stërvitore? Kushtet që stërviten janë skandaloze, ndërsa palestrat të mjeruara. Madje, disa në palestrat e tyre kanë ende materialet e komunizmit të trashëguara dhe çudia është se ja dalin me ta.
Pak kohë më parë, Erkand Qerimaj deklaroi se ai është i detyruar të stërvitet në banesën e tij, pasi palestra e Shkodrës nuk kishte asnjë kusht minimal.
“Jam i detyruar ta bëj këtu stërvitjen, sepse s’kemi ku ta bëjmë. S’kemi vend tjetër, pasi në palestrën e klubit “Vllaznia” kushtet janë skandaloze. E kam bërë me shpenzimet e mia dhe me mbështetjen e dashamirësve. Duke qenë se jam një nga sportistët me më shumë medalje vendosa ta bëj publike këtë gjendje. Peshëngritja po shkatërrohet”, thotë Qerimaj shkruan JavaNews.
Qerimaj shton se medaljen e fundit europiane e ka fituar në vitin 2014, kur u shpall kampion Europe në Izrael, rezultati më i madh për të rritur në historinë e peshëngritjes shqiptare. Gazetarët e pyesin për trajtimet nga shteti.
“Kemi vetëm trajtime ushqimore, por pa siguracione. Kam 20 vjet në sport dhe jam i pasiguruar. Ministria e Arsimit më ka punësuar para pak kohësh si mësues fizikulture në Kamëz. Vetëm për atë kohë kam siguracione. E pash pasi më kërkonin në punë. Nuk mund të bëja dot dy herë stërvitje dhe të shkoja në punë nga ora 08.00 deri në 14.00. Është premtuar shumë herë punësimi, apo siguracionet, por kanë kaluar shumë vite dhe jemi në këto kushte kur flasim në “Fiks Fare””, vijonte Qerimaj.
Përplasjet brenda federatës
Problemet e rënda që po kalon sporti i peshëngritjes i gjejmë lehtësisht edhe te gjendja brenda Federatës së Peshëngritjes. Ndaj kreut të saj Elez Gjoza prej kohësh vërshojnë një lum kritikash dhe akuzash. Problemet e shfaqura në këtë botëror të SHBA-së duket se janë paralajmëruar nga vetë sportistët sa i takon anës së keqe menaxhieriale. Pas refuzimit të vizës për në SHBA, Daniel Godelli shpërtheu në akuza ndaj federatës që sipas tij nuk bëri asgjë për t’i siguruar pjesëmarrjen në botërorin ku premtonte medalje për kombin.
‘I them federates time qe une nuk humba sepse nuk u ngjita ne pedan as nuk deshtova,por ju,ju humbet ,ju mbani pergjegjesi per kte jo une”, shkruante Godelli në reagimin e tij shkruan JavaNews.
Ndëkorhë, edhe Erkand Qerimaj kishte hedhur akuza të ashpra në drejtim të presidentit Elez Gjoza në muajin Janar të këtij viti. Ai deklaronte se fajtori kryesor për skandalin e dopinngut ishte pikërisht ai dhe se duhet të jepte dorëheqjen.
Ndaj kreut të saj, Elez Gjoza ka pakënaqësi të shprehura edhe trajneri i Kombëtares së shtangës, Leonard Toska i cili është treguar mjaft i ashpër me Elez Gjozën, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme. Ai ka deklaruar madje se “Gjoza është për burg”.
Largimi i talenteve, rreziku mbetet konstant
Prej 27 vitesh, ajo që po vuan sporti shqiptar është braktisja nga talentet. Jo se nuk kanë dashur atdheun dhe flamurin e tyre, por kushtet skandaloze të stërvitjes, korrupsioni për t’u promovuar në nivele të larta i ka detyruar talentet të largohen. Të shumtë kanë qenë ata që kanë ikur por shumë të tjerë rrezikojnë të largohen. Edhe në mesazhin e para pak kohëve kur nuk i’u sigurua viza për në SHBA, peshëngritësi Godelli kujtoi se nuk i kanë munguar ofertat nga federatat e tjera.
“Kam pasur oferta nga shume shtete te botes qe kur isha femij dhe kurre se kam cuar ne mendje qe te mund te nderroj flamurin tim per hir te atyre heronjve qe kane dhene jeten per kte flamur dhe une do isha i gatshem ne cdo sekonde te jetes time te jepja jeten per kte flamur e kurre per karriget e cilitdo politikan apo drejtues aktual te federates sime qe flasin per flamur nderkoh nuk din sakrificen e nje sportistit qe vertet lufton per flamur e jo per monedha qe kurre si kam kerkuar shtetit tim”, shkruante Godelli në reagimin e tij.
Kujtojmë se në të shkuarën emra si Luan Shabani dhe Piro Dhima kanë korrur suksese të mëdha në këtë sport. Por, mdealjet e tyre nuk kanë shkuar për Shqipërinë, por për Greqinë, vend i cili investoi tek ata dhe korri sukseset. Nëse nuk duam që talente të mëdha të shkojnë gjëkundi dhe të ngrenë një flamur të huaj, këmbanat e alarmit kanë kohë që bien…./JavaNews/Andi Malasi