Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka konfirmuar edhe një herë vendosmërine e qeverisë në luftën ndaj krimit të organizuar.
Në konferencën kundër krimit të organizuar që po mbahet në Tiranë, Xhafaj theksoi se operacioni ‘Forca e ligjit’ ka dhënë rezultate pozitive. Ministri deklaroi lufta antikanabis ka ndihmuar në hedhjen e hapave konkretë në kufizimin e të ardhurave të grupeve kriminale.
“Lufta kundër krimit të organizuar është prioritet i qeverisë. Ka filluar faza e identifikimit të grupe kriminale, zona ku ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe lidhja me bandat e tjera.
Kemi patur rezultate pozitive nga operacioni “Forca e ligjit’. Operacioni antikanabis na ndihmoi të hedhim hapa konkret në kufizimin e të ardhurave për grupet kriminale.”
Xhafaj tha se vettingu do të ndihmojë në pastrimin e policisë nga individë të inkriminuar.
“Këto nisma vijnë në kohën e duhur, mbështeten dhe janë në sinkron me procesin e reformës në drejtësi që ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme, vetingun e gjyqtarëve e prokurorëve, ku presim shumë shpejt të shohim rezultatet e para të këtij prcoesi dhe fazën e ngritjes së institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë”, tha Xhafaj.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Zyrën e Sigurisë pranë prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka organizuar sot Konferencën Rajonale 2-ditore “Mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në Luftën kundër Krimit të Organizuar”.
Javanews.al/a.ç