Nga Artur Ajazi
Nga viti 1997 dhe deri në vitin 2005 (kohë kur PD humbi pushtetin nga trazirat popullore) gjithmonë ishim mësuar ta quanim këtë ndryshim pushtetesh politike për 8 vjet rresht si “opozita e Berishës”, dhe shpesh etiketohej vetë Berisha si “kreu i opozitës në Shqipëri”.
Në vitin 2005, gjërat ndryshuan dhe PD erdhi në pushtet sërish përmes premtimesh dhe ofertash të shumta drejtuar shqiptarëve, ndërkohë që pas 8 vitesh qeverisje ajo është rikthyer në opozitë.
Mendoj se Partia Demokratike edhe pse dihej se do të dilte patjetër në opozitë në 2013 (pasi ishte përfolur dhe akuzuar shumë) ende edhe sot nuk e ka idenë, dhe as vetë nuk e beson se është në opozitë.
Duke nisur nga Basha dhe deri tek deputeti më i ri i PD, vazhdojnë ta mendojnë se janë akoma në pushtet, dhe kjo duket se lapsuset e llogaritjeve financiare.
Kjo padyshim vjen nga mosnjohja e realitetit, nga mosvlerësimi i ndryshimeve politike, mungesa e eksperiencës, dhe mbi të gjitha nga mosnjohja e të bërit politikë, as kur je në opozitë.
Dhe kjo falë mungesës së një figure drejtuese të kësaj partie, apo falë mungesës së ideve dhe programeve rivalizuese të saj me pushtetin e socialistëve, apo falë mungesës së bashkëpunimit të kësaj partie me të gjitha vlerat dhe kontribuesit e vërtetë dhe seriozë me të cilët Lulzim Basha duhej të vendoste prej kohësh ura mirëkuptimi.
Para tre muajsh zoti Basha tha që “do jemi dhe do të shihni tek PD, një opozitë konstruktive”, dhe pa hyrë mirë në Kuvendin e ri, shohim zotin Berisha që u dha urdhër deputetëve dhe i nxori nga salla, duke krijuar një skenë të tillë , për ti thënë kreut de jure të partisë se “opozita nuk do jetë siç do ti, por siç dua unë”.
Kjo për faktin se akoma dhe sot zoti Berisha vazhdon të ketë ndikim të padiskutueshëm brënda Partisë Demokratike, aq sa thonë se “kjo është opozita e tij dhe jo e Lulit”.
Por edhe ky i fundit, pavarsisht se po tregon shpesh shenja se “jam unë kryetari, jam unë ai që bëra listat dhe vendos unë kush do të flasë” duket se nuk ka kuptuar asgjë nga të bërit opozitë.
Shqiptarët akoma nuk po mësohen me vërtetësinë e faktit se, “kjo është opozita e Lulzimit”, pasi të gjithë e thonë “kjo është opozita e Berishës” një përcaktim që është njëherësh një sintezë e duhur, e cila duket do ta mbajë edhe për shumë kohë me ëndërra lidershipin e opozitës.
Nga Berisha tek Basha, mbetet një rrugëtim jo edhe aq i gjatë kur mendon se PD, po përjeton momentet më serioze të saj qysh nga viti 1997.
Kryetari i ri i Partisë Demokratike, mbetet njeriu dhe politikani më i komentuar jo vetëm në detyrën e kryetarit të partisë, duke mos harruar edhe komentet e shumta mediatike dhe politike, kur ai mori dhe mbajti postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Zoti Basha mbetet një lider politik, që kufizohet vetëm në atë çfarë ka vendosur paraprakisht Berisha, dhe për këtë mjafton të ndjekësh seancën e të enjtes për të konstatuar se ai, është gjithmonë një hap prapa, nga “lista” e tij politike në sallën e parlamentit.
Duket se zoti Basha nuk po konsolidon akoma profilin e pasardhësit të Berishës, dhe se problemi i tij kryesor është çfarë do të bëjë me trashëgiminë e liderit historik të Partisë Demokratike.
Ai ka sot një detyrë të vështirë përpara, e cila bëhet e pamundur kur mendon se duhet të bashkëjetojë me dhe nën hijen e Berishës, duke qenë në pozitën e kryetarit dublant.
Kryetari i Partisë Demokratike që sot shohim në televizione dhe foltore, është politikani që nuk po mundet të ngrejë dot opozitën e tij, që nuk po mundet të ndërtojë dot programin e tij opozitar, pasi i duhet të zgjidhë së pari çeshtjen se kush është “lideri”.
Kjo pasi rruga për tu bërë “lider” nuk është e lehtë, por është një rrugë e pashtruar, me kthesa dhe pengesa, nga ku zoti Basha nuk po mundet të gjejë vendin që i takon.
Deri tani Berisha i ka siguruar atij mbijetesën në politikë, por jo ama për të qenë “lideri partisë dhe i opozitës”, por thjesht një hije e trashur e tij brënda partisë.