Vetëm një e katërta e katalanasve duan të vazhdojnë me planin e shpalljes së Pavarësisë nga Spanja, në prag të zgjedhjeve rajonale të 21 dhjetorit. Ky është rezultati i një sondazhi të botuar në të përditshmen El Pais, të hënën. Referendumi për Pavarësinë, i konsideruar i paligjshëm nga Madridi, më 1 tetor, e shtyu Spanjën në krizën politike më të rëndë të saj në dekada.
Situata u shtensionua pas shkarkimit të autoriteteve separatiste katalanas nga qeveria e Madridit e pritur me pak rezistencë. Por, pasiguria mund të rikthehet nëse kampi pro pavarësisë do të fitojë zgjedhjet e 21 dhjetorit.
Por, “El Pais” shkruan se vetëm 24 për qind e të anketuarve, do të donin të vazhdonin me procesin e pavarësisë pas zgjedhjeve ndërsa 71 për qind thonë se do të donin që politikanët të gjenin një marrëveshje bazuar në qëndrimin e Katalonjës si pjesë e Spanjës.
Po ashtu, sondazhi tregon se partitë pro Pavarësisë mund të mos marrin shumicën absolute në parlamentin katalanas, në zgjedhjet e muajit të ardhshëm. Kjo do të ishte një goditje e konsiderueshme për separatistët, që i konsiderojnë zgjedhjet si një plebishit mbi vendimin e Madridit për të vendosur sundimin direkt në rajon, muajin e shkuar.
ma.me