Komisioni i Integrimit është shoqëruar me debate mes anëtarëve të majtë dhe të djathtë. Kryetari i Komisionit, Genc Pollo, tha se u prish tradita e mirë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit.
Po ashtu edhe anëtarët e djathtë, Jorida Tabaku dhe Aldo Bumçi, ngritën shqetësimin e përjashtimit të opozitës nga angazhimet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Blendi Çuçi kërkoi që të diskutohet për rendin e ditës, duke thënë se kjo duhet të jetë hera e fundit që devijohet nga rrjedha normale e diskutimit.
Debatet:
Pollo: U prish tradita e mirë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit. Kërkojmë angazhime që kjo të jetë detyruese.
Çuçi: Të mos dalim nga rëndi i ditës. Në fund merremi me çështje jashtë rendit të ditës.
Tabaku: PD ndoqi me shqetësim faktin që opozita nuk u përfaqësua në Komisionin e Stabilizim Asociimit. Në procesin e Integrimit nuk ka pronarë. Ne kemi përfshirë gjithmonë opozitën. Ajo që ndodhi javën e kaluar ishte e paprecedentë për të shuar zërin e opozitës në Bruksel. Kërkojmë shpjegime nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm për këtë çështje. Nuk doni që droga e krimi të bëhen objekt diskutimi në tryezat ndërkombëtarëve. Në këtë proces nuk ka përfitues politik.
Çuçi: Të jetë hera e fundit që devijojmë nga rrjedha normale. Ka qenë traditë e mirë pjesëmarrja e opozitës, por fakti që nuk erdhi asnjë kësaj radhe, ishte sepse nuk qe asnjë nga Parlamenti, por vetëm ministri i Jashtëm. Le t’i kërkojmë atij informacion se pse përdorën këtë format.
Bumçi: PD i ka themeluar këto tradita të mira. Ne ja dhamë opozitës të drejtën e pjesëmarrjes në këto formate. Ne e ftuam Bushatin si përfaqësues i opozitës në vitin 2011 të vinte në tryezë. Është për të ardhur keq që vetë ai ja heqë këtë të drejtë opozitës.