Zbardhja e tabulateve telefonike të celularëve që iu konfiskuan futbollistëve të Kukësit në Austri kanë nxjerrë në pah të dhëna mjaft interesante sa u përket dyshimeve për sjellje të parregullta të kampionëve të Shqipërisë. Megjithatë, VIP Sport ka mësuar nga burime pranë klubit se policia austriake vështirë se do të arrijë të hapë një çështje kundër skuadrës për akuzat për manipulime të rezultateve sportive për humbjen 6-0 ndaj Dinamos së Kievit në verë.
Edhe informacionet e shpërndara nga mediat austriake e konfirmojnë një gjë të tillë. Sipas tyre, policia kriminale ka të dhëna për sjellje të dyshimta të mëparshme të kuksianëve, të siguruara nga tabulatet e tyre telefonike, por jo për ndeshjen për të cilën ata u akuzuan.
Raportohet se hetuesit po shqyrtojnë prej muajsh rreth 400 mijë telefonata dhe bashkëbisedime të celularëve të konfiskuar. Të dhënat e analizuara përfshijnë edhe foto dhe e-maile. Shqetësimi kryesor i autoriteteve austriake ishte se lojtarët në fjalë flisnin hapur për manipulime ndeshjesh.
Deklarata më e çuditshme ishte e një prej të dyshuarve i cili gjatë bisedave thoshte “po ia hedhim UEFA-s”. Kjo ka shtyrë hetuesit që të shohin me detaje çdo telefonatë apo bashkëbisedim, duke shkëputur në vende të ndryshme fraza e biseda të dyshimta, mes të cilave spikat ajo e një lojtari që thotë “ia dhamë gjyqtarit”. Por autoritetet austriake nuk i lidhin dot këto biseda me ngjarjet e verës dhe sipas tyre i referohen ngjarjeve të ndodhura më parë, me sa duket në kampionatin shqiptar.
“Ne po presim raportin përfundimtar, ndaj procesi i hetimeve vazhdon”, është shprehur për mediat austriake Hansjorg Majr, zëdhënësi për shtyp i Prokurorisë së Insbrukut rreth kësaj çështje. Por me sa duket, asnjë nga telefonatat apo të dhënat e shqyrtuara nuk lidh pjesëtarët e Kukësit me evidenca të mirëfillta për manipulimin e ndeshjes ndaj Dinamos së Kievit përveç luhatjes së basteve.
Sfida në fjalë iu raportua autoriteteve austriake nga kompania “Sportradar”, e cila bashkëpunon me UEFA-n dhe monitoron ndeshjet e saj. Ajo ndeshje, në pjesën e dytë, u hoq nga kompania e basteve kineze “188bet” pasi luhatjet e koeficienteve filluan të bëheshin shumë të çuditshme.
Policia austriake shqyrtoi videon e ndeshjes dhe mori në pyetje 8 futbollistë të Kukësit dhe trajnerin Ernest Gjoka, pasi i ndali në aeroportin e Vjenës. Atje, personave në fjalë iu konfiskuan celularët të cilët kanë prodhuar të dhënat që janë shqyrtuar në këto muaj nga autoritetet austriake.