I riu shqiptar, Igli Doko, ka firmosur një kontratë profesioniste me skuadrën e Panathinaikosit. Ky është lajm pozitiv dhe fantastik për atë, por edhe për Kombëtaren Shqiptare që mund të mbështetet tek ai në një të ardhme. Mirëpo, lajmi nuk përfundon këtu. Paralelisht me firmën e tij në kontratën e profesionistëve të skuadrës së njohur greke, Doko u josh nga shteti grek.
Këta të fundit i kanë dhënë pasaportën greke dhe sigurisht që në një të ardhme mund ta grumbullojnë dhe ta ftojnë për të luajtur me ekipin e Greqisë. Lajmi i firmës së tij dhe i marrjes së pasaportës greke ka bërë jehonë në mediat greke, të cilat e konsiderojnë si një nga talentet e së ardhmes.
Doko prej vitesh ndodhet në Greqi dhe është aktivizuar me ekipin e të rinjve të Panathinaikosit, ndërsa dje u bë profesionist në këtë skuadër. Ai nuk është emër i panjohur për Shqipërinë dhe mbi të gjitha për trajnerin e Kombëtares U- 19, Erjon Bogdani, i cili e ka grumbulluar disa herë në skuadrën e tij, por nuk i ka dhënë kurrë mundësinë për të luajtur dhe nuk e ka zbritur në fushën e lojës.
Tani që Doko ka pasaportë greke, mund të zgjedhë të luajë edhe për helenët, pavarësisht se dëshira e tij e madhe është që të përfaqësojë Shqipërinë në të ardhmen.
FLET MENAXHERI- Për “Panorama Sport”, konfirmoi gjithçka edhe vetë menaxheri Angjelos Veizi, i cili ka të drejtat e të riut Igli Doko. “Nga ky moment është bërë profesionist te Panathinaikos. Firmosi për dy vite te Panathinaikos dhe ka dhjetë vite që rritet në këtë skuadër. Ai ka vuajtur shumë në Greqi, në fëmijërinë e tij.
Në maj u grumbullua nga Kombëtarja U-19 e Shqipërisë, por Bogdani e la jashtë liste për ndeshjet e Europianit. Ai mund të luajë edhe me kombëtaren greke, por do vetëm Shqipërinë. Greqia e ka dashur edhe më përpara, por nuk kishte dokumente. Tani që mori pasaportën, e ka të lehtë dhe e ka në dorë të zgjedhë kë të dojë. Igli preferon vetëm Shqipërinë dhe këtë ma ka thënë disa herë”, ka thënë menaxheri i tij Veizi./PanoramaSport