Kryeministri Edi Rama i cili së bashku me ministrat ndodhej në Dibër për mbledhjen e qeverisë, so është ndalur në qytetin e Burrelit ku ka zhvilluar një takim me qytetarët në kuadër të prezantimit të “ platformës bashkëqeverisëse”.
Rama u ndal sërish tek problemet në administratë, ku tha se ka shumë parazitë, grabitqarë dhe njerëz që i shohin qytetarët nga xhepi.
“Do vazhdojmë të rrisim ndjeshmërinë e qytetarëve dhe do t’i nxisim të bëhen pjesë e koalicionit të madh qeverisës. Një nga hallet më të mëdha në këtë vend është se po c’e se nuk ndesh në njeriun e duhur në zyrën ku troket je në det të hapur. Ne po punojmë cdo ditë për ta luftuar dhe zmbrapsur, pasi kemi një fenomen të trashëguar të administratës, ku ka shumë parazitë, grabitqarë, njerëz që i shohin qytetarët nga xhepi dhe s’ua kërcet fare kush është përballë”, tha Rama.
Ndërkohë sa i takon ‘platformës së bashkëqeverisjes’, Rama tha duke u regjistruar në të, qytetarët kanë mundësi të bëjnë sugjerime, ankesa dhe të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes.
“Në administratë ka shumë njerëz të mirë, por ka edhe parazitë dhe grabitqarë që i shikojnë njerëzit nga xhepi. I sorollasin njerëzit pafund. Ky është një aplikacion që duke e futur në xhep, fut në xhep qeverinë. Mjafton të hysh në platformë të regjistrohesh dhe menjëherë bëhesh pjesë e bashkëqeverisjes”- tha Rama.
Ai u shpreh me humor se Nard Ndoka nuk ka asgjë më shumë se një fshatar i thjeshtë i Shqipërisë.
“Çfarë ka Nard Ndoka më shumë si deputet më shumë se çdo fshatar tjetër i Shqipërisë? Pse Nard Ndoka merr shërbim direkt për një çështje? Se ai është deputet. Pra çdo qytetar duhet të marrë pushtetin që ka për të influencuar qeverinë. Nuk e kisha me Nardin personalisht, por me fenomenin deputet”- tha Rama.
/a.m.