Drejtori i Policisë së Elbasanit Altin Qato prej orës 14:00 të ditës së sotme ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Qato mbërriti i vetëm, ndërsa takimi me prokurorët e krimeve të rënda, sipas burimeve për Report Tv po zhvillohet për hetimin e 863 mijë eurove të kapura në Elbasan një javë më parë në makinën e Orest Sotës.
Altin Qato dhe prokurorët janë takuar për të koordinuar veprimet prokurorisë me policinë për hetimet, teksa dosja po hetohet pikërisht nga ky organ. Në makinën e Sotës përpos 863 mijë eurove u sekuestrua edhe tre patenta, dy të Saimir Tahirit dhe një të gruas së tij.
Orest Sota u shpreh se shumën po e dërgonte për një pagesë te Kurum, ndërsa patentat i kishte harruar shoferi i Tahirit, me të cilin ai kishte miqësi. Megjithatë gjykata vendosi ta lerë në burg Sotën deri në përfundim të hetimeve.
Ndërkohë që ka nisur hetimi pasuror për Sotën, nëse 863 mijë eurot që u sekuestruan janë tërhequr nga banka ditët e fundit.
a.ç