Presidenti i Kosovës i jep dekoratën “Urdhri i Lirisë” Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi. Motivacioni ka qenë “për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Pas marrjes së dekoratës, kryetari i Kuvendit tha se “kontributi për lirinë e Kosovës nuk i përket asnjë individi”.
“Ndjehem shumë i vlerësuar për medaljen e lartë të shtetit të Kosovës. Vlerësimi që më dedikohet e ndaj dhe ua dedikoj të gjithë bashkatdhetarëve të mijë në Shqipëri. Këtë vlerësim do ia përcjell të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës ka qenë gjithmonë një ëndërr e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh ai.
Ndërkohë, përmes rrjeteve sociale, Presidenti i Kosovës njoftoi shkurtimisht edhe bisedën me Gramoz Ruçin.
“Me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, sot biseduam për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për përfaqësimin sa më të mirë të shqiptarëve kudo në botë. Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, për pushtet gjithmonë ka garë. Por, për shtetet tona, për qytetarët tanë, ne gjithmonë duhet të jemi bashkë”, shkruan ai.
a.ç