Nga Mira Kazhani
Ka një valë më shumë nisur nga intuita sesa fakte kundër qeverisë, 10 ditët e fundit. Pak a shumë siç ndodhin në përgjithësi ngjarjet. Nëse një burrë vret gruan, besoj keni vënë re që atë muaj do dëgjoni në lajme edhe për 3 ose 4 rastë të tjera. Nëse një fëmijë luan lojën “Balena blu”, atë muaj do ketë edhe disa raste të tjera, e kështu me radhë. Është efekt zinxhir por edhe imitues. Gjithsesi, nuk i hyj dot thellë, se si shumë gjëra të pashpjegueshme në këtë botë, i jetojmë dhe përballim pa u dhënë shpjegim.
Ditët e fundit, me procesin e Tahirit, që mbart seriozitet, skandal por dhe mjaft dyshime brenda, kanë nisur edhe akuza të tjera frontale. Menjëherë nisën legjendat urbane (që mund të ketë edhe të vërteta, nuk vihet dora më zjarr) familjari, ministri tjetër, ka dosje të tjera, ka filmime në fushatë. Mes të gjithëve ka spikatur edhe gazetari Blendi Fevziu, që gjatë kësaj kohe nuk e ka fshehur dollinë për hallet e Ramës.
Fevziu është nga më të mirët në vend, por, për hirë të së vërtetës, intervistat me Ramën apo edhe me Bashën, Metën, etj., bëhen pak impenjative. Duhet t’i ndjekësh me asistent për nga tempizmi, mbivendosja, kunjat. Ok, “hard talk” është simpatik dhe profesional por mendimi se në “Opinion” nuk mbaron dot një mendim është i përgjithshëm.
Nuk e dimë e s’kemi nga, por ose kryeministri është mërzitur me konsumerizmin e Fevziut, ose ka një arsye që ka vendosur të ndërrojë të enjtën me të premten. Fevziun me Çanin. Ndoshta timonieri kërkon suksesin e audiencës që pati në fushatë tek “Zonë e Lirë”. Ndoshta është koha e Çanit në “Klan”. Mbetet për ta parë nesër, se kështu më tha një zog tek dritarja.
Mua për vete, njësoj më duket kryeministri kudo ku del; varet nga hëna!