Buxheti i vitit 2018 si dhe paketa fiskale që do ta shoqërojë atë do të shkojnë në qeveri për miratim javën e ardhshme. Gjatë vitit që vjen qeveria parashikon që të ardhurat totale në arkën e shtetit të arrijnë në rreth 464,292 milionë lekë, duke u rritur me 6.4 për qind krahasuar me këtë vit.
Sipas draftit paraprak të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, shpenzimet publike llogariten rreth 499,389 milionë lekë euro me një rritje prej 5.7 për qind. Zëri që ka rritjen më të madhe të shpenzimeve është ai i shpenzimeve kapitale. Për vitin 2018 shpenzimet kapitale llogariten 77,665, pjesa më e madhe e të cilave shkon për ndërtimin e rrugëve. Kjo është sa 5.2 për qind e prodhimit kombëtar, nga 4.8 që ishte këtë vit.
Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) si dhe taksimi i pronës për shtëpi të dyta do të jenë dy nga politikat e reja fiskale të bëra publike nga vet ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.
“Do të bëjmë shtrirjen e TVSH deri në nivelin zero. Me këtë hap, ne besojmë që do ta ndihmojmë formalizimin e ekonomisë dhe sigurisht që ky formalizim, do të bëhet pa asnjë rritje çmimi, sepse 20% është në kostot e çmimit final dhe kostot i vendos tregu dhe jo ne. Për biznesin e vogël do të kemi një deklarim të thjeshtësuar një herë në tre muaj dhe patjetër që MFE tani që po harton draftin, po kujdeset që zejtarët, në bazë të ligjit të zejtarisë, të mos jenë pjesë e sistemit të shtrirë deri në nivelin zero dhe tregjet formale të bashkive, pra që janë dhënë me leje të bashkisë, të trajtohen ndryshe”, deklaroi ministri Ahmetaj pak ditë më parë në një dalje publike për mediat.
Ndërsa lidhur me taksën e pronës edhe pse ende ministria e Financave nuk ka përfunduar ende draftin, ministri siguroi se nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpitë e dyta. “Ajo që përmban drafti është kalimi nga taksë fikse në referencë të vlerës”, deklaroi ministri Ahmetaj.
Në bazë të ligjit “për buxhetin”, ministri i Ekonomisë dhe Financave i paraqet për miratim Këshillit të Ministrave projektbuxhetin vjetor, me tavane trevjeçare, mbi bazën e programit buxhetor afatmesëm, bashkë me programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar.
Brenda muajit tetor, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar.
Javën e parë të muajit nëntor, Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektbuxhetin vjetor. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave publikon informacionin e plotë të projektbuxhetit vjetor. Projektligji i buxhetit vjetor miratohet nga Kuvendi, brenda datës 20 dhjetor./a.m.