Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës arrestoi sot një punonjës policie si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
“SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit kreu një hetim gati 2 javor për N/komisar Gjergji Azisllari, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në stacionin policor Plazh, Durrës. Ky punonjës ka përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin me rekorde kriminale G.N., i cili ishte pajisur me armë zjarri për në banesë”, thuhet në një njoftim për mediat nga Ministria e Brendshme.
Më tej, sqarohet se personi i mësipërm u arrestua nga Policia e Durrësit gjatë një operacioni të zhvilluar në fillim të Tetorit, në kuadër të operacionit policor “Vjeshtë 2017”.
Në këtë operacion u arrestua edhe një person me iniciale M.F., si dhe u sekuestruan 2 armë zjarri, një makinë dhe disa telefona celularë.
“Pas veprimeve proceduriale të SHÇBA-së rezultoi se i arrestuari është person me rekorde kriminale, por kishte ndryshuar gjeneralitetet. Punonjësi i Policisë Azisllari nuk ka kryer verifikimin në sistem sipas procedurave standarde të punës“, thuhet më tej në njoftim.
Gjatë hetimit ka rezultuar se po ky punonjës policie kishte përpiluar të njëjtin lloj vërtetimi edhe për personin me iniciale A.M., i cili gjithashtu rezulton me rekorde kriminale në të dhënat e Policisë së Shtetit.
“SHÇBA ka nisur një inspektim në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë për procedurat e ndjekura nga strukturat përgjegjëse, për pajisjen me leje për blerje dhe mbajtje të armëve të zjarrit. SHÇBA ka në dispozicion numrin falas 0800 90 90 për denoncime për çdo qytetar, kur konstaton shkelje apo abuzime nga punonjës të Policisë”, përfundon njoftimi i Ministrisë.
a.ç