Nga Mero Baze
Mosqenia e Lulzim Bashës në Kuvend kishte krijuar një “mit”, dhe banalizimi i Kuvendit mandatin e shkuar nga Berisha, i bënte në një farë mënyre alibinë Lulzim Bashës. Edhe pse shumë vetë nuk dyshonin tek “diferenca” e tij me Berishën, here- herë nuk është se nuk e mendonin, kur shikonin se sa keq e degradonte Berisha dhe ushtarët e tij Kuvendin.
Të paktën kishte njerëz që mendonin se “heronjtë” e Bashës në Kuvend nuk do ishin këta që dinë të përmbysin tavolina apo të bëjnë si të fortë.
Por kanë mjaftuar dy- tre seancat e fundit, për të kuptuar boshllëkun e Bashës edhe në Kuvend, dhe mungesën e çdo ideje të re për të bërë opozitë në Kuvend, përveç ideve të Mulit, Strazos, apo vezëve në të brendshme, për të qëlluar në Kuvend.
Prurjet e reja të Bashës në Kuvend, jo vetëm që nuk po dëshmojnë ndonjë identitet të tyre, por janë më qesharake se ata që ka gjetur nga prurjet e Berishës dhe së bashku kanë forcuar një identitet banal të PD-së në Kuvend.
Dëmi më i madh që po i bëjnë PD-së, është perceptimi se kjo është parti të fortësh, “që të rrahin”. Me këtë “epërsi” duket se është karikuar gjithë grupi parlamentar, dhe falë kësaj “epërsie” të vetëcaktuar nga Basha, po tentojnë të bëjnë politikë.
Ngrefosja si të fortë, dhe ideja që ata mund të ushtrojnë dhunë fizike në Kuvend, është theksuar kaq shumë, sa çdo akt i tillë identifikohet me deputetë të PD-së. Biles ata kanë arritur në një fazë, sa askush nuk pyet më se çfarë thanë deputetët e PD në Kuvend, por të gjithë pyesin çfarë bënë deputetët e PD në Kuvend. Ata janë kthyer nga misionarë të fjalës dhe debatit, në identifikues me dhunën.
Kjo do të ishte gjysma e së keqes, sikur këta të ishin budallenj, por ama të fortë fizkisht, që ta kishin këtë epërsi.
Problemi është se këta nuk janë as të fortë, por qejflinj të fortësh. Në një përballje të tillë mandatin e shkuar, një deputet socialist, në një skenë vulgare, e shtriu përtokë me rrip mesi, një që mban koburen në brez, dhe pastaj u detyrua të lërë mandatin.
Të paktën po qe se janë vërtetë të fortë, le të bëjnë ndonjë akt trimërie.
Por këta këtë identitetin e forcës e përdorin vetëm si provokim, që dikush t’i rrahë e të ankohen për dhunë.
Duke i ikur detyrës së tyre si deputetë, që përmes fjalës të bëjnë politikë në Kuvend, ata kanë arritur në pikën që duan të provokojnë si të fortë, për të gjetur armikun që po kërkojnë kaq kohë e nuk po e gjejnë, ata që i quajnë “banditë në parlament”.
E vetmja mënyrë se si ata mund t’i gjejnë, duket se është të bëjnë si të fortë, të përleshen me dikë aty dhe pastaj të fillojnë kujën, që na vranë banditët.
Kjo është më shumë se banale. Dhe kur e mendon se kjo tendencë është forcuar më shumë me ardhjen e Bashës në Kuvend, e kupton që i kemi rënë kot më qafë Berishës, duke e bërë fajtor për banalitetin e Kuvendit. Njeriu që paska qenë mahnitur pas gjithë kësaj historie banale, tani është vetë në krye të këtij banaliteti. Është ky që u thoshte diplomatëve të huaj “nuk kam çfarë t’i bëj Berishës”. Ky në fakt nuk ka çfarë t’i bëjë detyrës që i ka dhënë Berisha. Dhe po përpiqet ta bëjë sa më keq që mundet.
a.ç