Banesa e nënës së ministrit së Energjetikës Damian Gjiknuri është bastisur mesditën e së martës nga persona ende të paidentifikuar. Autorët e dyshuar të ngjarjes dyshohet se kanë vjedhur 300 mijë lekë të rinj dhe disa bizhuteri.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Maliq Muça”, që ndodhet mes bulevardit “Zogu i Parë” dhe Rrugës së Durrësit, në kryeqytet. Ndërsa në momentin që është realizuar vjedhja, në banesë nuk kishte njeri.
Nga verifikimet e kryera nga ekspertët e Policisë në vendin e ngjarjes, nuk janë konstatuar shenja të hyrjes me forcë apo thyerjes së derës së jashtme të apartamentit. Ndërsa janë konstatuar gjurmë në ballkonin e shtëpisë, që ndodhet në katin e tretë të pallatit, shrkuan Panorama.
Burimet thanë se ka dyshime që autorët mund të kenë përdorur hekurat e dritareve të banesave në katet më të poshtme, për t’u ngjitur në ballkonin e apartamentit ku jetonte nëna dhe vëllai i Gjiknurit.Vjedhja është konstatuar pak kohë pasi kishte ndodhur, në momentin kur Liri Gjiknuri, 67 vjeçe, është kthyer në shtëpi.
Sapo ka parë rrëmujën, ajo ka dyshuar për një vjedhje të mundshme dhe ka kontrolluar në vendin ku mbante paratë që kursente nga pensioni. Në momentin që ka parë se mungonin paratë, rreth 300 mijë lekë të rinj, ajo i ka telefonuar menjëherë policisë.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.3 që kanë kryer veprimet e para hetimore dhe po vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorëve. /b.d