Majlinda Bregu, dikur njëra ndër figurat më të rëndësishme të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së, shpreh dyshimet e saj në lidhje me forcën e vendit tonë për të qenë e “fortë” aqsa për të hapur negociatat.
E ftuar në emisionin Top Story, Majlinda Bregu ka shprehur një sërë rezervash që në fakt vënë në dukje sesa e papërgatitur mund të jetë qeveria kur hapja e negociatave të bëhet realitet dhe kur europianët t’i kërkojnë detyra shtëpie qeverisë, deri tek sesa kokrra ulliri prodhojnë.
Nga ana tjetër Bregu shprehet se kryeministri Rama është nervoz në lidhje me hapjen e negociatave dhe këtë e ka treguar edhe në intervistën e tij për gazetën e mirënjohur Der Standard.
“Në fakt po të kujtosh deklaratat e para të Kryeministrit në 2013, që kishte një farë entuziazmi, kuptohet që ka një lloj nervizizmi. Por nuk është vetëm i Kryeministrit, por e ndjejmë në përgjithësi në të gjithë liderët e Ballkanit. Dhe të atyre që e duan Europën dhe nuk duan ta shohin më peng.
Ka një ndjesi frustacioni për një rrugë që zgjatet e zgjatet. Megjithatë unë besoj se në këtë proces, deklaratat politike janë po aq të dëmshme nëse krijojnë bezdisje tek BE, dhe nëse ka një arrogancë që nuk e vë gishtin tek problemet e vërteta. Procesi varet shumë nga kriteret që kemi. Nëse shtrojmë pyetjen nëse jemi vërtetë aq të fortë sa për të hapur negociatat, unë kam dyshime.” thotë Bregu e ftuar në Top Story
Megjithatë për ish-deputeten demokrate, procesi i negociatave duhej të ishte hapur me kohë. Dhe për këtë ajo renditi një sërë arsyesh, që më shumë do ta ndihmonin jo vetëm procesin, por edhe situatën në Shqipëri dhe Ballkan.
“Më lër të them diçka për të cilën kam marrë edhe gjobën time politike. Procesi i hapjes së negociatave duhet të kishte ndodhur. Është hapi i radhës. E dyta ruan ritmin e politikës shqiptare sepse është motor. Ka një përgjegjësi shumë të madhe se shton kontrollin ndaj qeverive, veçanërisht atyre problematike. Prandaj kam përshtypjen se ky duhet të jetë një proces pa ndërprerje.” tha Bregu
Në fund ajo shton se ajo që po ndodh në Katalonjë, me rajonin që kërkonin pavarësi nga Spanja, mund ta shpërqëndrojë atë nga politika në Ballkanin Perëndimor.
“Por frikë kam se do të ndikojë edhe Katalonja, që pritet të marrë vëmendjen e BE-së.
Ne jemi shumë herët sot për të parashikuar se çfarë do të ndodhë. Unë që e ndjek procesin, i vetmi sinjal pozitiv është zgjimi në nivelin më të lartë të BE-së, dhe jo prej mërzitjes sonë. Por erdhi nga ndryshimi i peshës në politikën e jashtme, me zgjedhjen e Trump President të SHBA.
Ndërkohë që rritja e presionit, numri i azilkërkuesve etj, ndaj them se nuk është pjesë e politikës së jashtme më shumë se asaj të brendshme.” përfundon Bregu./a.m.