Një student 19-vjeçar në Teksas qëlloi për vdekje një oficer policie dhe u largua nga vendngjarja, duke bërë që forcat e rendit të viheshin ethshëm në kërkimin e tij.
I riu më në fund u kap e po merret në pyetje. Të shtënat ndodhën orët e vona të mbrëmjes së të hënës.
Autori i ngjarjes, i identifikuar si Hollis Daniels, ishte dërguar në komisariat pas një kontrolli në dhomën e tij, të nxitur nga fakti që në kampusin universitar ishte gjetur drogë.
Por në stacionin e policisë, ai raportohet të ketë nxjerrë armën e ta ketë qëlluar oficerin në kokë.
Ngjarja ndodh një vit pasi Universiteti Teknologjik i Teksasit, ku studionte Daniels, legalizoi projektiligjin 11 të Senatit, ligji i shumëdiskutuar që i lejon studentëve të mbajnë armë në godinat e kampusit nëse janë të pajisur me lejen për ta bërë një gjë të tillë.
a.ç