Një databazë që do të menaxhohet nga Shërbimi Veterinar, do t’u japë mundësi autoriteteve të monitorojnë të gjithë qentë shtëpiake në të gjithë vendin, që nga vendndodhja, vaksinimi i tyre, sjellja e egër apo sëmundjet që mund të kenë. Çdo qytetar që ka, apo kërkon të adoptojë ose blejë një qen, do të duhet të ndjeke disa hapa tek veterineri për regjistrimin e qenit të tij.
“Është i detyruar të ketë pasaportën e shëndetit, por përpos pasaportës se shëndetit, duhet të ketë të gjithë dokumentacionin e regjistrimit që do të thotë që duhet të jetë i pajisur me mikroçip. Do regjistrohet në databazën e Shërbimit Veterinar, i cili do jetë i mirëinformuar për adresën ku ndodhet etj. Çdo qen i çfarëdo moshe është i detyruar të pajiset me certifikatën e shëndetit dhe me mikroçipin përkatës”, u shpreh Edi Ferra, drejtor i Shërbimit Veterinar.
Krijimi i një databaze ka gjithashtu si qëllim të evitojë incidentet me qentë agresiv. Sipas projektligjit, të gjitha racat e qenve do të konsiderohen me potencial rreziku, edhe pse nga informacionet e deritanishme, Ministria e Bujqësisë ka listuar 4 raca si më të rrezikshmet.
Racat e qenve qe po shihni ne foto, cilësohen si të rrezikshme. Kohet e fundit këto raca janë përhapur edhe në vendin tonë, kryesisht në Tiranë, ku aktualisht sipas të dhënave familjet zotërojnë 5 mijë kafshë shtëpiake.
Vendosja e çipit në trupin e qenit do të bëhet tek veterineri dhe ky i fundit raporton më pas të gjitha të dhënat në databazën e Shërbimit Veterinar, përfshirë edhe rastet kur kafsha është shfaqur agresive, në shtëpi apo në ambiente publike, për të përditësuar gjatë të gjithë kohës sistemin e të dhënave.
“Të kesh një monitorim se ku ndodhen, se në çfarë situate ndodhen. Nuk do lejohet në asnjë mënyrë të shëtitin në ambiente publike, nëse këto kafshe nuk janë të pajisura me maskën përkatëse dhe nëse nuk janë të shoqëruar nga persona mbi 16 vjeç”, thekson Edi Ferra.
Në projektligj janë parashikuar edhe rastet e braktisjes se qenve shtëpiak, që mund të shndërrohen në rrezik për qytetarët. Edhe në këto raste qytetarët duhet të ndjekin disa hapa.
“Do të njoftojë dhe nëse nuk njofton do të ketë sanksione dhe gjoba. Nëse ai nuk njofton një autoritet siç mund të jetë një spital i qenve të rrugës që do të kujdeset për t’u tjetërsuar pronari apo për t’u marrë masat që ky qen të mos bëhet një mundësi për shpërndarjen e sëmundjeve dhe një rrezik për qytetarët”, deklaroi Edi Ferra.
Mos zbatimi i rregullave të reja, do të sanksionohet me gjobë që mund të nisë nga 50 mijë lekë apo më lart.
ma.me