Ministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Lavrov konfirmoi sot se SHBA-ja duhet të vetëpërmbahet në sulmet kundër Koresë së Veriut sepse ajo e di me siguri që Pheniani disponon bomba bërthamore.
“Amerikanët të mos kryejnë me sulme kundër Koresë së Veriut sepse ata nuk dyshojnë por janë të sigurt që ajo disponon bomba bërthamore”, deklaroi ai në një intervistë për stacionin televiziv rus “NTV”.
“Nuk po mbroj Korenë e Veriut, po them që pothuajse të gjithë janë dakord me këtë analizë”, theksoi ai.
Lavrov nënvizoi se kriza aktuale mund të zgjidhet nëpërmjet një qasjeje më fleksibël.
“Vetëm me qetësi, sugjerime dhe bindje”, iu përgjigj ai pyetjes mbi mjetet e nevojshme për t’i dhënë fund kërcënimeve të Phenianit.
“Nëse Uashingtoni nuk i përmbahet kësaj qasjeje, ne mund të përballemi me një katastrofë shumë të paparashikueshme dhe dhjetëra, nëse jo qindra mijëra qytetarë të pafajshëm të Koresë së Jugut, por gjithshtu dhe të Koresë së Veriut, sigurisht dhe të Japonisë do të vuanin”, theksoi ai.
Kjo intervistë u publikua pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov deklaroi të premten se Moska ishte shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve për çështjen koreano-veriore pas shkëmbimit të fundit të kërcënimeve mes Donald Trump dhe Kim Jong-Un.
Të premten në OKB, Serguei Lavrov kërkoi që “kokat e nxehta të ftohen”.
“Duhet të mbështesim qasjet e arsyetueshme dhe jo emocionale, në vend që të kemi një oborr shkolle ku fëmijët luftojnë pa mundur askush t’i ndalojë”, theksoi ai.
Kim Jong-Un e cilësoi Donald Trump si njeri të “çmendur” që do ta paguajë shtrenjt për kërcënimet kundër Koresë së Veriut, disa orë pas njoftimit të Uashingtonit për një riforcim të sanksioneve kundër Phenianit.
Donald Trump e cilësoi Kim Jong-Un në podiumin e Kombeve të Bashkuara si “njeriu raketë” dhe kërcënoi Korenë e Veriut për shkatërrim të plotë./b.d