Pronari i një picerie në Nju Jork ka vendosur të ruajë traditën shqiptare të gatimit. Ai quhet Ramiz Kukaj nga Peja dhe kur e hapi këtë biznes në SHBA, kishte një ëndërr.
“Kur erdha para 22 vitesh në SHBA erdha të takoj një mik shumë të afërt timin. Në atë kohë kishte një piceri italiane. Fillova t’i flas shqip dhe më tha: Të lutem mos fol shqip se këta mendojnë që jam italian.Jo se kuzhina italiane është e keqe pasi njihet ndër kuzhinat më të mira botërore mirëpo unë nuk e gjeta veten tek asnjë.Nuk e paramendoj veten duke promovuar apo bërë biznes tjetër përpos kësaj. Ndihem shumë mirë tek fakti se jam shqiptar”.
Por disa rrugë më tej në Bronz ai po përgatitet të hapë një restorant të ri më të madh që do të jetë tipik shqiptar dhe jo vetëm nga ushqimi.
Restoranti i ri do të quhet ‘Çka ka qëllu’ që ndryshe mund të thuhet “me çfarë na keni gjetur”.
“Të parët tanë, pleqtë tanë kur kishin ndonjë mysafir i thonin: Bujrum, bukë, kripë, zemër dhe çka ka qëllu. Nga kjo rrjedh dhe emri i këtij restoranti”.
Siç njofton nga Nju Jorku, gazetari Ilir Ikonomi, Kukaj po përpiqet t’u ofrojë klientëve jo vetëm gatimin tradicional, por edhe një vështrim nga tradita dhe kultura shqiptare pasi e ka kthyer restorantin në një ekspozitë etnografike.
“Shtytja më e madhe për këtë koncept lindi kur fola me Kastriotin, djalin. Më tha babë e ka mundësi me ma gjet një restorant që është shqiptar se po kam qejf me i dërgu shokët e mi. Të gjithë më dërgojnë nëpër restorante italiane, greke. Ai jeton në Amerikë, këtu ka kombësi të ndryshme. Momentinn që nuk munda ti ofroj një vend për me shku me ngrënë, ai ka qenë momenti kur e kam ndjerë të obligueshme”.