Sheshi “Nënë Tereza” do të kthehet pedonale. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kreu i bashkise deklaroi se do jetë dita pa makina kur do te kryhet edhe eksperimentimi i parë, për të vijuar më pas me zbatimin e projekti.
Për të ulur ndotjen dhe për të krijuar hapësira të reja për qytetarët, kreu i Bashkisë nënvizoi se disa zona në kryeqytet do të kthehen në hapësira pedonale.
“Edhe këtë vit pavarësisht se i kemi kthyer disa hapësira në 100 % pedonale, duke filluar nga sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, prapë do të investohemi edhe këtë vit në disa hapësira të tjera pedonale. Një prej tyre do të jetë gjithë sheshi “Nënë Tereza”. Siç e dini, me kohë të pjesshme ai është pedonal duke filluar nga Presidenca deri te korpusi universitar. Kështu që një hapësirë do të jetë aty, hapësira tjetër do të jetë pas Ministrisë së Arsimit. Pra duam të kemi hapësira pedonale edhe në disa lagje, është zona ku është klubi “Heminguej” dhe disa shtëpi karakteristike të Tiranës. E ka potencialin në të ardhmen të kthehet në një tjetër hapësirë si Pazari i Ri”, tha ai./a.ç/javanews