Detaje të reja zbulohen në lidhje me apartamentin e sekuestruar nga gjykata e Kurbinit në zonën e Kasharit në Tiranë pas kërkesës së Prokurorisë, ku pronar rezulton Gjon Gjezaj, i cili rezulton i arrestuar në Spanjë për vjedhje dhe pastrim parash. Por kush është Gjon Gjezaj?
Mediat spanjolle raportojnë se ai është pjesë e një bande shqiptarësh, e cila akuzohet për grabitjen e të paktën 35 banesave të dokumentuara në zonën e A Coruña.
Grabitjet janë kryer mes datave 6 nëntor 2015 dhe 14 mars 2016. Pjesë e bandës janë edhe shqiptarët Emilian Gjezaj dhe Anastas Osmani. Të 3 janë dënuar në Spanjë me 7 vite burg gjithsej. Sipas mediave spanjolle shqiptarëve iu është ulur dënimi, pasi kanë pranuar të bashkëpunojnë me autoritetet.
Gjithashtu në këmbim të lirimit ata duhet të paguajnë 100% për kompensimin e viktimave që kanë grabitur në një shumë prej 48 mijë eurosh, nga të cilat deri tani janë paguar 27.430 euro.
Sipas marrëveshjes, pasi të kryejnë të gjitha detyrimet, përfshirë edhe ato të gjyqit, të 3 shqiptarët do lirohen në mars të vitit 2018 dhe do dëbohen nga Spanja.