Nga Mira Kazhani
Sot fjalimi i deputetit të ri të PD Agron Shehaj u bë virale. Në atë parlament gjatë eksperiencës sime si gazetare më ka qëlluar të shoh pak nga të gjitha. Mjaft të kujtoj se hyrja në gazetari përkon me KPD-në e famshme.
Sigurisht që ajo mbulohej nga gazetare profesioniste por sot e kësaj dite kujtoj audiencën e pazakontë që bëri ajo mbledhje socialistësh me batutat dhe etiketat e Fatos Nanos.
Parlamenti ka prodhuar gjithmonë replika, sherre ndonjëherë shumë afër skandalit. Jemi tmerruar nga ato që na kanë dëgjuar veshët e parë sytë, jemi habitur, sqaruar, zhgënjyer, edhe përlotur madje.
Unë nuk e fsheh që dua më shumë majtas por jam përlotur kur Sali Berisha ka lexuar dorëheqjen e tij pas humbjes në 2013. Edhe për këtë e kam një shpjegim por dua ta mbaj për vete hëpërhë. Ajo që ka ndodhur në këto orë me parlamentin nuk i ngjan asnjë parlamenti.
As atij të Tedor Kekos, Azemit, as atij të Nanos liberal e të papërgjegjshëm, as të Berishës që ka forcën e paqes dhe të luftës bashkë. As të Ilir Metës që ka vetinë e mbijetesës. As të Edi Ramës që brenda arrogancës së tij ka një mal me ide e dashuri për Shqipërinë brenda.
Ky është një parlament i pangjashëm. Pas fjalimeve të yjeve të Bashës parlamenti është qesharak. Madje mendoj që Goni i Bashës, ja mori në kthesë edhe Gon Llakës!
Madje po pres të na zbavisë siç premtoi edhe për 4 vitet e ardhshme. (Tiranapost.al)