Deputeti Sali Berisha ka marrë sot fjalën në seancën parlamentare ku po diskutohet për programin e qeverisë “Rama 2”.
Berisha tha para deputetëve se mazhoranca e dalë me 74 mandate u transformua në rrugë e sipër me 78-80 të tilla.
“Deri këtu kemi të bëjmë me një rrugë ligjore. Mirëpo konstatohet menjëherë se në fytyrat e mazhorancës ka zi në fytyrat e tyre dhe frikë në sytë e tyre. Edi Rama këtu mbajti një fjalim të ndryshëm nga ai i katër viteve më parë, por e mbajti të diktuar nga një panik i madh. Ky njeri me Kushtetutë ulet aty si Kryeministër. Nga vjen ky panik? Sepse ai dhe çdo qytetar e dinë mirë se përveç Kushtetutës me ligje ekziston ajo morale e kombit” – tha Berisha.
Sipas deputetit të Partisë Demokratike, në Kushtetutën morale socialistët janë humbësit më të mëdhenj në historinë e këtij vendi. Nga ana tjetër ai ia ka faturuar bojkotin e demokratëve në zgjedhje Partisë Socialiste.
“2.4 milionë shqiptarë ua shndërruan juve fitoren në një dasmë pa nusë. Çfarë fitore është kjo kur procesit jetik për lirinë nuk i besuan miliona shqiptarë dhe braktisën ditën e votimit” – tha Berisha. /b.d