Bujar Nishani duket se i është rikthyer skenës politike pasi përfundoi mandatin 5-vjeçar si president i Republikës. Dhe duket se nga deklaratat e kujdesshme që bënte sa mbante postin e presidentit, tashmë Nishani ka hequr filtrat dhe ka nisur sulmet politike ndaj të majtës.
Ai ka akuzuar ashpër Ramën që sipas tij ka provokuar rëndë me zgjedhjen e Gramoz Ruçit kryetar Kuvendi.
“Zgjedhja e Ruçit kryetar Kuvendi ëhstë një vendim politik i partisë, i Edi Ramës. Ky është provokim radikal që meriton një reagim radikal”, deklaroi Nishani në studion e emisionit “Studio 24” përballë Eni Vasilit. Duket se tashmë Nishani e ka marrë seriozisht rikthimin në politikën aktive.
Ish-presidenti theksoi se ai është pjesë e politikës, ndërsa theksoi se ka qenë dhe do të jetë pjesë e PD-së.
Mes të tjerash ai përjashtoi mundësinë e krijimit të ndonjë partie më vete, ndërsa nënvizoi faktin se nuk aspiron postin e kreut të PD-së.
“Për t’i mbyllur këto diversione, nuk kam për ta rivalizuar asnjëherë zotin Basha asnjëherë. Mbajeni të regjistruar”, tha Nishani./a.m.