I mandatuari për kryeministër nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, është zotuar se Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi do të korrigjohet.Sipas tij, me këtë marrëveshje kanë ndodhur gabime dhe se kufiri në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është në Kullë dhe në Çakorr, shkruan Koha Ditore.
Ai në një deklarim për media, pas vizitës që i ka bërë Këshillit të të Rinjve Evropianë të Kosovës, ka thënë se çështjes së demarkacionit do t’i japin epilog së shpejti dhe se nuk do të humbin kohë.
“Kanë ndodhur gabime në atë temë në të kaluarën. Qëllimi është që të korrigjohet, që të kthehet në të drejtë. Kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Çakorr, në Kullë dhe në maja të larta.
Por dallimi do të jetë se nuk do të humbim kohë me vendin. Do t’i japim epilog të drejtë dhe besoj që në një afat të caktuar kohor, mendoj shpejt nuk do të jetë pengesë kjo temë”, është shprehur Haradinaj pas interesimit të gazetarëve. (b.an)