Dritan Dmeiraj, i cili prej 3 muajsh ushtron detyrën e Ministrit të Brendshëm pas propozimit nga kreu i PD Basha, ka reaguar në lidhje me problemet e radarëve në det përmes një letre drejtuar Ministries së Mbrojtjes Mimi Kodheli.
Ai thotë se kjo gjendje e radarëve ka sjellë probleme për policinë në luftën kundër trafikut të kanabisit. Sipas Demirajt, gomonet dhe skafet e trafikantëve kanë shfrytëzuar korridore të caktuara ku radarët nuk funksinojnë për të trafikuar drogën drejt Italisë.
“Sistemi i radarëve ka shfaqur probleme. Kjo situatë vështirëson punën e policisë. Radarët nuk iu përgjigjen nevojave operacionale, pasi nuk vëzhgojnë të gjithë hapësirën. Krijohen kënde që shfrytëzohen nga trafikantë. Radarët nuk detektojnë mjetet dhe njerëzit. Parametrat e sistemit janë larg atyre që kërkohen. Nuk ka kamera të integrueshme që afrojnë objektet. Duhen marrë masa që të përmirësohen parametrat e sistemit”, shkruan ndër të tjera ministri Demiraj.
Në letrën e zbardhur nga BW, Demiraj parashtron një rast vërtet shqetësues, ku sipas tij sinjali i radarëve është fikur në mes të një operacioni antidrogë të policisë.
Teksa shkruan për një operacion të dështuar, ministri thotë: “Më 7 gusht 2017 morëm informacion për një gomone. Por sinjali i radarit u fik në mes të operacionit. Inxhinieri i kompanisë fiku sinjalin e radarëve. Ka dyshime, se sinjali u fik qëllimisht”.
/a.m.