Nga Erion Hiluku
Dedikuar mikut tim Skënder Meshaj
Padyshim që edukimi është një problem global nëse dëshiron ta shohësh kështu, por në fakt është një problem personal. Të edukosh është ta bësh dikë njeri duke e joshur me magjinë e shembullit. Për të qenë i saktë që në etimologjinë e fjalës, ajo ka dy kuptime: educare që në latinisht d.m.th. të nxjerrësh diҫka jashtë, dhe educere e cila në latinishten moderne d.m.th. të shoqërosh. Prandaj të edukosh është të entuziazmosh me vlera. Sipas psikiatrit të famshëm bashkëkohor, Dr Rojas: shoqëria kupton për edukim disa norma sjelljeje urbane. Por edukimi shkon shumë përtej kësaj. Edukimi është njohja dhe përdorimi i etikës dhe i estetikës, ku etika është arti i përdorimit me korrektësi të lirisë, ndërsa estetika është aftësia për të zbuluar bukurinë që na rrethon.
Kudo që ta dërgoni për të studjuar fëmijën tuaj, mos harroni se vlerat humaniste ai do t’i marrë në familje. Tradicionalisht, pse jo tani, burimi i parë i një edukimi të mirë është familja. Mos të pretendojë njeri më kot që fëmijët tanë të bëjnë atë që ne nuk bëjmë. Një fjalë e urtë thotë: një babë i mirë vlen më shumë se njëqind mësues. Për nënën është pak të them se është si një universitet në kushtet e shtëpisë. Edhe nga pikëpamja e shkencave psikologjike, modelet e para të identitetit janë prindërit. Ata me sjelljen e tyre, me shembullin, do të mësojnë fëmijën, dhe asnjëherë nuk është vonë, për ҫka është e mirë dhe e keqe, si të përballojë problemet dhe vështirësitë dhe si të zgjedhë modele të shëndetshme, shembuj jete atraktivë dhe të ndershëm të cilët do t’i japin një drejtim pozitiv. Do të jenë prindërit përgjegjës që të zbulojnë talentin e fëmijës, t’a orientojnë drejt asaj që ka tendencë dhe vlen, duke shtuar dhe hequr mundësitë që shfaqen me realizëm dhe iluzion. Triumfuesit do të jenë ata që e dashurojnë punën e tyre, dhe kjo është ҫështja e parë madhore e ekzistencës.
Unë nuk pretendoj të mësoj njeri, mundohem të mësoj vetë me realizëm dhe motivim. Mësuesi sovran është sot në ambjent dhe na bombardon papushim me modele e informacion pa fund, ndaj duhet të jemi të përgatitur mirë për të dalluar esencialen. Informacion është të dish ҫfarë po ndodh gjithë kohën, gjë që është shumë por që ka pak rëndësi, ndërsa formimi është të paturit e kriterit të sjelljes. Kështu mund të kemi shumë njerëz të informuar por jo të formuar. Edukimi i inteligjencës d.m.th. të mësosh të dallosh sipërfaqësoren nga themelorja. Eshtë kapaciteti i sintezës. Duhen mësuar njerëzit të mendojnë që të vegjël (edhe kjo mësohet në shtëpi), të kenë shpirt kritik dhe të formulojnë argumente që mbrojnë idetë e tyre. Në vazhdimësi inteligjenca ushqehet nga leximi, po. Promovimi i këtij zakoni është shumë i rëndësimshëm. Për të gjithë është e vështirë sot të lexojmë, se jemi në epokën e imazhit, por ja vlen ta marrim mundimin. Kurioziteti është tjetër përbërës esencial, duke qenë leximi për inteligjencën si ushtrimi fizik për trupin.
Me pak që të vëzhgoni, do të vëreni shumë njerëz të shpërqëndruar në ҫështje themelore, dhe nuk e kam fjalën vetëm për muhabete sipërfaqësore e rrjete sociale, por për ҫështje jetësore: Ai që nuk di se ҫfarë do nuk mund të jetë i lumtur. Ata nuk e fshehin dot melankolinë që më së shpeshti i paraprin stresit dhe depresionit. Ne jetojmë dhe banojmë në personalitetin tonë, më së pari. Të qenët një person i pjekur, i matur, i ekuilibruar, i qetë dhe i edukuar kërkon një punë papushim për të limuar, pastruar dhe eliminuar atë që nuk është e mirë dhe pozitive. Mund të ikësh nga Shqipëria, por nuk mund të ikësh nga vetvetja. Vullneti është ҫelësi i suksesit, shpeshherë më i vyer se inteligjenca. Duhet edukuar që herët vullneti i fëmijës, dhe në vazhdimësi i rritur do t’i duhet të vazhdojë të sforcohet dhe të planifikojë e arsyetojë me këmbëngulje. “Tue u tall e tue pritue, Kurrgjë send nuk qitet në dritë”, thotë Mjeda i madh.
Është e domosdoshme të ju edukohet dhe zbulohet kuptimi i jetës, duke iu dhënë përgjigje pyetjeve të mëdha: nga vijmë, ku shkojmë, ҫfarë është dashuria e dhimbja? “E bukur, e qetë, e shenjta jetë…”, këndon humanisti Leonik Tomeo. Kjo është edukimi dhe kultura. Të edukosh d.m.th. të mësosh të mendosh. Të edukosh në dashuri dhe në punë sepse këto të dyja së bashku janë themelet e lumturisë. Kultura është të mësosh të jetosh. Kultura është të kthesh ҫdo gjë që bën në një vepër arti. Pastaj kultura të bën të lirë, të jep krahë e të ngre të shohësh realitetin nga një perspektivë superiore.