Nga Edmond Arizaj
Unë nuk jam ndonjë njohës i financës, as i atyre llogarive e përllogaritjeve të ekspertëve të kësaj fushe, ku me ca shifra në kompiuter luhen miliona e miliarda. Jam i sigurtë që këta ekspertë janë mjeshtërit më të mëdhenj të mashtrimit, vjedhjes, pastrimit të parave dhe transaksioneve të pista, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Janë kupola e ligjshme; për ata që dinë se ç’është kupola në gjuhën e mafies, janë ata që lëvizin çdo fije. Siguria për këto nuk më vjen veç nga intuita. Por bosët e financave, ata të heshturit që përfitojnë nga injoranca e shumicës në këtë fushë, nuk janë qëllimi i këtij shkrimi. Krejt tjetër. Unë thjesht kërkoj, madje do u kërkoja përulësisht edhe kolegëve ta hapnin një debat të tillë: ndryshimin e shifrës në paranë shqiptare, lekut.
Me këtë të eleminohet shprehja “leku i ri”, apo “me të reja, me të vjetra”, pra ky përçudnim i komunikimit të përditshëm mes shqiptarëve që shkëmbejnë mall me lekë. Sipas gjuhës shqipe që ne shkruajmë si flasim, a ju rezulton kështu kur shihni lekët? Mua jo. Them “dhjetë mijë lekë” dhe në dorë kam një mijë lekë(!)
Dhe si unë janë mbi 3 milionë shqiptarë të gjallë. Prej 1964 kur nisi emetimi i “lekut të ri”, shqiptarët nuk u mësuan dot me këtë term i cili vijon t’u imopnohet me pahir dhe me një paqartësi më shumë se intruguese, bezdisëse. Ngjan me “njeriun e ri” që na doli i prishur, apo me “Shqipërinë e re”, një fallsitet tragjik. Madje duket se përcaktorët “i ri”, “e re” vijojnë të pjellin fallsitete e kotësi…“Republika e re”.
Atëherë kur shqiptarët nuk e pranojnë, nuk u mësuan prej më shumë se gjysëm shekulli, kur vetëm ngatërrohen, kur qeveritarët e ndryshëm e kanë përdorur vetëm për justifikime dhe interes, kur me “të reja” flasin veç financierët, disa pak zyrtarë dhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë, dhe kur jemi i vetmi vend që e shkruajmë paranë me një shifër dhe presupozojmë një zero më shumë, atëherë për çfarë mbahet ende në këmbë “e reja” ngatërrestare?
Mesila Doda më tha që e ka ngritur këtë çështje, por ekonomistët ishin përgjigjur negativisht. Nuk e di pse janë përgjigjur negativisht. Apo meqë i përkasin pikërisht fushës, ku çfarëdo që thonë, janë të paktë ata që mund t’i kundërshtojnë. Gazetarë të kësaj fushe ka pak. Por njëra prej tyre, ndër më të mirat e asaj që rëndom quhet sektori ekonomik, për mua më e mira (shkrimet e saj i kuptoj) Blerina Hoxha, u interesua pranë Bankës së Shqipërisë dhe më tha: “As i ka shkuar njeriu në mendje!”. I kërkova nëse ka ndonjë studim sa mund të jetë shpenzimi për ta bërë lekun “e ri” – lek “normal”, sa prerje, sa kohë mund të zgjasë etj. Në fakt u çudita. Askush nuk e ka çarë kokën fare për 25 vjet që t’u kthejë qytetarëve një të drejtë që jua rrëmbyen: ta lexojnë lekun aq sa e thonë me gojë. Apo si puna e pronave…madje këtë nuk e kanë bërë as antikomunistët e flaktë, teksa “leku i ri” është shpikje origjinale e komunizmit shqiptar.
Por ndryshimi këtë rradhë nuk duhet bërë pse “leku i ri” është i komunistëve, por pse “leku normal” është për shqiptarët. Nëse në Bankën Shqiptare apo institucionet e financës, kanë shumë punë për ta bërë një studim të tillë (ndoshta edhe vetëm për të thënë sa kushton), atëherë i mbetet Ministrisë së Arsimit që të aplikojë program-edukimi për fëmijët që në kopësht me termat e parasë shqiptare, dhe të urojmë që 50-vjeçarin e dytë të “lekut të ri” të kemi ndonjë përmirësim në komunikimin financiar të shqiptarëve.