Rruga nacionale Rreshën-Burrel është në një gjendje te rënduar. Ajo u ndërtua para 4 vitesh dhe është një aks mjaft i rëndësishëm pasi nëpermjet saj lidhen shume rrethe e bashki siç janë Peshkopia, Bulqiza, Klosi, Burreli, etj…Me Rrugën e Kombit si dhe me rrethet e tjera në drejtim të qendrës së Shqipërisë.
Por kjo rruge sot pas një periudhe 4 vjeçare në shumë vende është jashtë përdorimit. Kjo flet qartë për një punë të dobët të firmës ndërtuese duke filluar nga muret prej betoni te çara në shumë vende pasi çuditërisht në to nuk ka asnjë fije hekuri dhe deri tek asfalti që është shkërmoqur në shumë vende.
Por kjo gjendje vazhdon të rëndohet çdo ditë më shumë pasi rruga nuk ka asnjë lloj mirëmbajtjeje megjithëse firma që ka fituar tenderin për këtë punë, paratë i merr rregullisht. I kontaktuar nga ana jone presidenti i firmës mirëmbajtëse thotë se nuk ka ndonjë problem.
“Unë letrat i kam në rregull”, shprehet ai.
Po ashtu rruga ka pësuar ulje, çarje dhe rrëshqitje në shume vende duke vështirësuar kalimin e automjeteve. Është për tu habitur se në një kohë që jepen fonde të konsiderueshme për mirëmbajtjen e rrugëve, në shumë raste këto fonde shpërdorohen dhe përvetësohen, si në rastin e kësaj rruge dhe askush nuk i kontrollon ose askush nuk merr masa për këto abuzime. Shoferet ankohen për gjendjen e kësaj rruge dhe për mosinteresimin e institucioneve përkatëse. shqiptarja.com/ma.me