Në vitin 1995, Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha firmosi dekretin për heqjen e medaljeve dhe dekoratave për ish-nomeklaturën komuniste. Këtë akt ai e ndërmorri pasi një tjetër kontigjent ish-byroistësh dhe udhëheqësish të lartë komunistë, e kishte çuar pas hekurave.
Në dekret thuhet se ky vendim merret për shkak të krimeve dhe genocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar. Mes emrave është dhe ai i Spiro Kolekës, i njohur si daja i kryeministrit aktual, Edi Rama, por që në fakt nuk është pastërtisht i tillë. Më saktë është daja i të ëmës, Anetës, por që kjo lidhje gjaku e ka spostuar politikisht Ramën drejt të qënit nip i Spiros, si pasojë e ligjërimit akuzator të PD-së, dhe nominalisht Berishës, karshi tij, që kur hyri në politikë. Madje kjo mbahet si akuza e parë ndaj Ramës, fakti që ishte nip byroisti.
Dokumenti mban datën 13 shkurt 1995 dhe në listë përfshihen 8 prej ish-anëtarëve të lartë të Byrosë Politike: Enver Hoxha, Haxhi Lleshi, Nexhmije Hoxha, Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Gogo Nushi, Haki Toska dhe Spiro Koleka.
Nga njëra anë, Berisha është shenjuar si një ish-komunist fanatik, kjo falë të qënit anëtar i PPSH-së për 24 vjet dhe sekretar organizate për disa vite të tjera, pa iu njohur asnjë akt disidence apo rebelimi brendapartiak. E nga ana tjetër, fill pasi u ngjit në pushtet në ’92-shin, ai nisi të shfaqet një anti-komunist i thekur, si në ligjërim politik e si në akte konkrete, ku veçohet burgosja e disa ish-byroistëve, si dhe heqja e dekoratave e medaljeve nga “gjokset” e tyre.
Duhet kujtuar në këtë rast edhe fakti se ndër aktet e para hakmarrëse anti-komuniste të Berishës, ishte dhe heqja e numrave telefonikë për të gjithë kuadrot komunistë në bazë, duke jua kaluar ato individëve të lidhur me PD-në./tesheshi/ma.me