Pas sulmeve terroriste në disa qytete të Europës dhe kërcënimeve për sulme të tjera nga ISIS, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë në fushën e sigurisë publike, krimit të organizuar, krimet e rënda dhe kufirit.
Do të ketë shtim të prezencës policore me uniformë dhe agjentë në terren, do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike, trupit diplomatik etj.
Gjithashtu do të forcohen masat e kontrollit në Pikat e Kalimit Kufitar e kufirit të gjelbër për persona që konsiderohen me risk, mjete dhe sende të kundraligjshme.
Paralelisht strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të personave me risk, me prirje radikale por edhe lidhjet e tyre.
Këto struktura kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist me qëllim parandalimin, zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.
Në këtë kuadër Policia e Shtetit me strukturat e saj të specializuara kërkon mirëkuptimin për këto masa shtesë dhe njëkohësisht bashkëpunimin për të denoncuar çdo dyshim për persona objekt i kësaj veprimtarie, duke ofruar numrat e telefonit falas 112 dhe 129.
a.ç