Nga Linda Karadaku
Politika është profesion, serioz, I ndërlikuar, dhe në kuptimin e vërtetë, fisnik. Kështu thotë fjalë për fjalë Dwight D. Eisenhower dhe për mua është përkufizimi më I saktë, më I thjeshtë dhe më I kapshëm për të gjithë, që nga maja e piramidës deri poshtë tek ne, vdekatarët e zakonshëm. Sipas këtij parimi, duhet të presim të kemi një qeveri serioze, të ndërlikuar dhe fisnike në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kryeministri Rama, duke pasur një shumicë dërrmuese parlamentare, e pazakontë të paktën në më shumë se dy dekadat e fundit në Shqipëri, ka detyrimin elektoral për ta ndërtuar qeveri të tillë, për të mos përmendur detyrimet e tjera, qeverisëse, morale, njerëzore dhe mbi të gjitha shtetërore. Siç ka thënë më vonë Barack Obama, “në fund të fundit, kjo është ajo për të cilën janë këto zgjedhje, a marrim pjesë në një politikë cinizmi apo një politikë të shpresës. “
Kryeministri e bazoi strategjinë elektorale në rikthimin e shpresës për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit, funksional në të gjitha mekanizmat e tij. Por kjo duhet të shihet e zbatuar në praktikë përndryshe, shumica dërrmuese, kthehet në pakicë dërrmuese pas katër vjetësh ose edhe më shpejt se 4 vjet…E përkthyer në gjuhën tonë shqipe, kjo do të thotë të shohim, të ndjejmë, të prekim, të nuhasim, të perceptojmë me të gjitha shqisat praninë dhe funksionimin e shtetit për qytetarët; kjo do të thotë që piramida të funksionojë ashtu si do të duhej të kishte funksionuar gjithmonë, me ata në majë që na shërbejnë neve këtu poshtë në bazën e piramidës. Domethënë, dakord, ne qytetarët duhet të plotësojmë detyrimet ndaj shtetit, përfshi taksat, trafikun, dhe gjithçka tjetër, por edhe shteti duhet të plotësojë në të njëjtën kohë, bashkë me ne, të gjitha detyrimet e tij, për të mos u kthyer në atë që vetëm merr dhe nuk jep asgjë në këmbim. Kjo është në thelb ajo që e quajmë marrë-dhënie midis qytetarëve dhe shtetit!
Sigurisht që ka dhe do të ketë kufizime, politika është arti I të mundshmës, ka thënë Otto von Bismarck, dhe gjërat nuk bëhen në një ditë, as kjo botë që njohim nuk u ndërtua në një ditë. Por është dhe gjithmonë ka qenë e mundshme që të rregullosh, të ndërtosh, të sistemosh, të vësh në vijë një vend, një popull dhe një shtet, pak e nga pak, ose shumë e nga shumë, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, në mënyrë që pas katër vjetësh, të kesh bërë aq sa për të fituar prapë zgjedhjet, ose aq sa për të lënë një emër pas, që njerëzit ta kujtojnë për mirë! Gjithsesi, të gjithë vdekatarë jemi, dhe siç thotë nëna ime, të mirë apo të ligj, në majë të piramidës apo këtu poshtë, me lekë apo pa lekë, me euro e dollarë apo pa një cent në xhep, në fund të fundit, të gjithë njësoj marrim, dy metra dhe.
Për tíu rikthyer edhe njëherë Bismarkut, “politika nuk është shkencë ekzakte” dhe as që pret njeri të jetë. Prandaj ka aq shumë rëndësi që punës t’I gjesh njeriun dhe jo njeriut punën, në mënyrë që të bëhen politikat e duhura dhe të zbatohen ashtu si duhet. Qeveria nuk bëhet për qoka, për t’I dhënë haraçin njërit apo tjetrit, qeveria bëhet për të gjetur njerëzit e duhur për të bërë punën e duhur. Dhe nuk besoj që është vështirë të gjesh njerëzit e duhur brenda ose jashtë partisë së madhe që ka arritur të krijojë breza të vjetër e të rinj politikanësh dhe qeveritarësh, apo thjeshtë njerëz që duan dhe munden ta ndryshojnë këtë vend dhe ta kthejnë në binarët e normalitetit, për të arritur dhe për të tejkaluar të paktën fqinjët tanë që ecin shumë më shpejt se ne në proceset integruese, pavarësisht se kanë pasur dhe kanë shumë gjynahe mbi shpinë. Këtu çështja nuk është sa dhe si ka ndryshuar Kryeministri Rama Partinë Socialiste, por sa dhe si ka ndryshuar dhe do të ndryshojë vendin, për mirë apo për keq. Vlen për t’u kujtuar këtu një thënie e Tony Blair: “Nuk erdha në politikë për të ndryshuar Partinë Laburiste. Erdha në politikë për të ndryshuar vendin.” Ka ardhur koha që edhe në Shqipërinë tonë të thuhet kjo, nuk ka ndonjë interes të veçantë për qytetarin e thjeshtë si dhe sa ka ndryshuar PS-ja, apo ndonjë parti tjetër, po si dhe sa ka ndryshuar dhe do të ndryshojë Shqipëria.
Dhe e fundit, për të ndenjur edhe pak në Angli…politikat reale janë mbajtja dhe shpërndarja e pushtetit, ka thënë Benjamin Disraeli. Këshilla mes rreshtave është mbaje fort pushtetin dhe kërko llogari se në fund të fundit, ti do të anatemohesh më shumë se gjithkush, dhe së dyti, shpërndaje punën dhe pushtetin tek ata që janë të aftë dhe duan të punojnë për këtë vend, pavarësisht se nga cili krah vijnë, a besojnë majtas apo djathtas apo çfarë emri kanë. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht a votojnë dhe si votojnë. Shqiptarët që votuan të dhanë ty zoti Kryeministër një shumicë dërrmuese parlamentare, por nuk ta përcaktuan përbërjen dhe emrat e qeverisë. Ato e përcakton ti, dhe suksesi apo dështimi në zgjedhjen e njerëzve në krye të piramidës, bashkë me sukseset apo dështimet e tyre, është I yti! Kështu funksionon logjika e qeverisjes. Për ta mbyllur, një film shqiptar I një kohe tjetër, flet për atë që e quan rrethimi I vogël, si rreziku më I madh për shtetin dhe pushtetin. Ky është rrethimi I lajkatarëve, maskarenjve, atyre që duan të zhvasin dhe rrjepin, atyre që presin të marrin një post qeveritar ose afër qeverisë për tu bërë milionerë e miliarderë duke e shkatërruar këtë vend. Këta janë rreziku kryesor I pushtetit tënd dhe po këta do të rrezikojnë atë që premtove të nisësh menjëherë pas zgjedhjeve, bashkë-qeverisjen me njerëzit e zakonshëm!