Një 23-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë. I arrestuari është Athanas Xhuveli nga Vlora, i cili prej disa muajsh fshihej në kryeqytet, ku jetonte në një apartament të marrë me qira.
Xhuveli rezulton i dënuar me 10 vjet heqje lirie, i akuzuar për grabitje dhe dëmtim nga Gjykata Aquilas në Itali, ndërsa ka dyshime se edhe në kryeqytet po përgatitej të kryente vjedhje me armë.
Arrestimi i të riut nga Vlora u krye nga shërbimet e komisariatit nr.4, që e ndaluan për verifikim në rrugën “5 Maji”, pasi po drejtonte një motor, që dyshohej se nuk ishte i pajisur me dokumente. Por në momentin e ndalimit, Policia ka konstatuar se 23-vjeçari nuk ishte i pajisur me leje drejtimi dhe për këtë akuzë është arrestuar në flagrancë.
Burimet thanë se deri në momentin e kryerjes së verifikimeve në Polici, ende nuk dihej se ky person ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas verifikimit të gjeneraliteteve dhe gjurmëve të gishtave, është zbuluar edhe urdhër-arresti i mbërritur nga Italia, në zbatim të një vendimi të vitit 2013 të Gjykatës së Aquilas, që e kishte dënuar me 10 vjet burg.
Në këtë moment është marrë vendimi për kryerjen e kontrollit të banesës ku ai jetonte me qira, ku janë gjetur armë e drogë, si dhe mjete të tjera të dyshimta.
OPERACIONI
Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se arrestimi i Athanas Xhuvelit nga Vlora është kryer gjatë operacionit të koduar “Vveekend”, të oficerëve të Krimeve të Rënda në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Sipas Policisë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative është kërkuar ndalimi i një motori “Kymco”, pasi dyshohej se drejtohej nga një person me precedentë, por pa dhënë më tepër të dhëna rreth tij. Ky mjet është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit nr.5, në rrugën “5 Maji”.
Fillimisht 23-vjeçari është arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti pa leje-drejtimi. Ndërsa më pas është bërë kontrolli i banesës, ku ai jetonte me qira, pranë vendit ku u arrestua. Policia tha se, gjatë kontrollit të banesës, në zonën pranë tregut, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një pistoletë pa leje tip “Beretta”, e kalibrit 9 mm dhe rreth 300 gramë hashash.
Gjithashtu janë gjetur edhe një maskë e zezë, dy palë doreza të zeza dhe një peshore elektrike. Burimet thanë se 23-vjeçari dyshohet se po përgatitej për grabitje dhe po verifikohet nëse është i përfshirë në ndonjë vjedhje me armë që ka ndodhur gjatë muajve të fundit në Tiranë.
AKUZAT
Athanas Xhuveli, që u arrestua të shtunën në Tiranë, mund t’i shpëtojë ekstradimit drejt Italisë, të paktën edhe për disa vite. Ndaj tij janë ngritur tri akuza nga Policia, për të cilat dosja është referuar në Prokurori.
Ai akuzohet për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake e municionit”, “prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Fillimisht atij i duhet të kryejë dënimin në Shqipëri për këto akuza të ngritura ndaj tij.