Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin Korrik 2017 është1.379.302. Krahasuar me Korrik 2016, ky tregues rezulton me rritje 2,8 %.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 864.023, krahasuar me Korrik 2016, ky numër është ulur me 0,1 %, ku efektin kryesor e kanë dhënë shtetasit nga Kosova, pasi korriku përkonte me ramazanin. Por, rënia e shtetasve nga Kosova, që kanë qenë pushuesit tradicionale të Shqipëri është kompensuar nga vendet e tjera. Sipas INSTAT, Në korrik 2017, ndër dhjetë vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, ato nga Zvicra kanë pësuar rritjen më të madhe me 52,3 %, ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Kosova me 33,2 %.
Nëse përjashtohet efekt i Kosovës, rezulton se hyrjet e të huajve të korrik janë rritur me 35%.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në shtatëmujorin e 2017 është 5.199.145, duke u rritur me 5,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Në shtatëmujorin 2017, ndër dhjetë vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, rritja më e madhe e hyrjeve ka ardhur nga Polonia me 71,1 % dhe rënia më e madhe nga Kosova me 17,3 %.
Shtetasit nga Kosova gjithsesi vijojnë të zënë peshën kryesore, me 866 mijë turistë për 7 muajt e parë të vitit, të ndjekur nga maqedonasit me 341 mijë dhe grekët me 246 mijë dhe italianët me 182 mijë. Edhe numri i turistëve italianë ka shënuar rritje të ndjeshme për 7 mujorin, me 56%.
Për periudhën janar-korrik, shtetasit e huaj që kanë hyrë për qëllime pushimi janë rritur ndjeshëm me 35% në mbi 1 milionë persona, ose 40% e totalit.
Shqiptarët ikin, daljet u rritën me 11% në korrik
Por, ndërsa të huajt po vijnë gjithnjë e më shumë, të nxitur nga shkrimet e pafund të mediave të huaja për Shqipërinë, vetë shqiptarët po ikin jashtë.
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit Korrik 2017 janë 1.362.491, duke shënuar një rritje me 6,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2017 është 496.163. Krahasuar me Korrik 2016, ky numër është rritur 11,0 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në shtatëmujporin e 2017 është 2.759.744 duke u rritur 4,9 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
ma.me