Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë Rasim Lajiç mendon se konflikti i ngrirë për Kosovën nuk i përshtatet Serbisë dhe si zgjidhje ai ka propozuar “normalizimin pa njohje”, transmeton Koha.net. Në tekstin autorial në “blic” të Beogradit Lajiç propozon që kjo çështje të zgjidhet në tri faza me ç’rast Serbia do të kërkonte favore për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ai mendon se kthimi në të kaluarën është joreal. “As shqiptarët s’e duan, e as Serbisë s’i duhet një shtet jofunksional me dy milionë banorë të cilët e urrejnë atë shtet . Nga ana tjetër, pa marrëveshje me Serbinë e pajtimin Rusisë dhe të Kinës, vështirë se ajo (Kosova) mund të mbetet shtet me subjektivitetin e plotë ndërkombëtar”, ka shkruar Lajiç duke propozuar normalizimin pa njohje dhe zgjidhjen e problemit në tri faza.
Sipas tij, faza e parë do të ishte eliminimi i të gjitha barrierave për bashkëpunimin e plotë ekonomik e tregtar ndërmjet Serbisë e Kosovës, si dhe qarkullimin e lirë pa kufizimet aktuale administrative të njerëzve, mallit e kapitalit. “Për këtë qëllim ne propozojmë që në veri të Kosovës të formohet zona e lirë ekonomike e hapur për investime nga Serbia e Kosova”, thotë Lajiç.
Faza e dytë do të përfshinte hapjen e negociatave për pasurinë e Serbisë në Kosovë, trashëgiminë kulturore dhe formimin e Asociacionit të komunave serbe.
“Faza e tretë do të hapte negociatat rreth anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare pos në KB. Për çdo pajtim të Serbisë në disa organizata, ne do të kërkonim favore konkrete nga BE rreth projekteve të mëdha infrastrukturore dhe për rrugë të përshpejtuar në Bashkimin Europian”, ka thënë ai.
Pasi të arrihet marrëveshja rreth lëtyre tri çështjeve, ka thënë ai, do të nënshkruhej marrëveshja për normalizim kur dhe do të fillonte periudha kalimtare që do të zgjaste tre vjet e që do të përcillte realizimin e marrëveshjeve të arritura.
“Pas kalimit të kësaj periudhe, ne propozojmë mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrje të BE-së, SHBA-së dhe Rusisë me qëllimin e arritjes së zgjidhjes përfundimtare për statusin e Kosovës”, ka thënë Lajiç. (b.an)