Nga Ilir Yzeiri
Këto ditë, sidomos e përditshmja « Shqiptarja.com », ka botuar deklarimet e pasurive të gjyqtarëve, prokurorëve e politikanëve shqiptarë. Ndjesia e parë që provon kur i lexon ato deklarime është të vjellët. Të vjen vërtet për të vjellë dhe të neveritet ky vend dhe historia e tij. Le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Disa nga prokurorët që sot figurojnë me lokale e me mijëra euro, apo disa nga gjyqtarët që kanë pika karburanti dhe banesa pa fund, janë nga ata mjeranët e shkollës së plepave që, pasi kishin mbaruar ndonjë fakultet në Kamëz apo ndonjë institut trevjeçar rajonal, erdhën në Tiranë pa asnjë kacidhe. Pa shtëpi, pa rroba për të veshur e për të dalë si njerëz dhe sot janë milionerë. Po ashtu edhe politikanët tanë, ndër të cilët shquan sidomos Ilir Meta. Edhe në një rast tjetër e kam përmendur një detaj. Më kujtohet aty rreth viteve ’95 ose ’96 Ilir Meta ka pasur një makinë golf të bardhë dysh në mos gaboj dhe e mbaj mend si sot që i kishte bërë defekt diku para Taivanit. I kishte ngritur kofanon dhe po e rregullonte. Deri në atë kohë Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë funksion shtetëror, përveçse deputet në Parlamentin e Shqipërisë dhe gjendja ekonomike ishte normale një golf dysh. Po sot? Një tjetër politikan i lartë i këtij vendi na befasoi të gjithëve në fillim me stilin e jetës së thjeshtë.
Sali Berisha për pak sa nuk na u bë shenjtor duke reklamuar shtëpinë në rrugën « Fortuzi » dhe jetën modeste. Po sot? Për të mos folur për Fatos Nanon apo qoftë edhe për Edi Ramën që nga shtëpia te Parku i Autobusëve jeton në një vilë luksoze në Surrel. Ndërsa makutëria e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë nga dhjetë banesa e nga dhjetëra numra llogarish bankare është vërtet shenja se ky vend ka një defekt të madh në palcën e tij. Për fat të keq, ky vend gjithnjë është qeverisur e drejtuar nga batakçinj e njerëz makutë që e kanë parë atë si plaçkë dhe si çiflik. Është e vërtetë se një vend bëhet i begatë nga të pasurit, por është po aq e vëretë se një vend dregradon dhe bëhet një kënetë nga babëzia dhe nga hajdutët që hiqen si administratorë të tij. Nuk e di nëse dikush mund të më qetësojë apo të më mbushë mendjen se si ka mundësi që për njëzetë vjet politikanët e këtij vendi u pasuruan kaq shumë? Ka vetëm një klauzolë që e hedh poshtë gjithë pretendimin për të justifikuar makutërinë e gjyqtarëve apo prokurorëve e politianëve shqiptarë dhe kjo është edhe ligji edhe morali.
Ligji e ndalon një funksionar publik që të merret edhe me aktivitet privat. Ndërsa morali në këtë vend nuk ekziston. Morali është ndjenja për të shërbyer me korrektesë dhe për të mos vjedhur. Ana tjetër e problemit është stili i jetës. Në këtë pikë, këta zyrtarë të lartë të Republikës sonë kanë treguar anën më mjerane të një bashkësie që është etja për t’u dukur dhe për ta sfiduar tjetrin me anë të pasurisë, për ta mundur tjetrin me anë të forcës së parasë. Shqiptarët kanë shumë cilësi të denja për një qytetërim europian, por sa herë që bëjnë shtet, të zgjedhurit e tyre duket sikur i marrin në kazanin e plehrave. Si mund të jesh gjyqtar në një vend të varfër me nje drejtësi që shitet e blihet dhe t’i lejosh vetes që të blesh 18 apartamente? Si mund të jesh prokuror dhe t’i lejosh vetës që përballë me zyrën tënde të blesh dhe një lokal e ta japësh me qera? Si mund të jesh president në këtë vend dhe të kesh një super vilë në plazh dhe nja shtatë a tetë aprtamente që i shet dhe i blen. Si mund të jesh kryeministër në këtë vend dhe t’i lejosh vetes luksin që të jetosh në një vilë mbi banorët e tu të drobitur! Njeriu mund t’i ketë të gjitha ato mundësi financiare që kanë edhe makutët dhe të babëziturit tanë politikanë apo gjyqtarë e prokurorë qofshin, por, për të respektuar popullin ku ti jeton, për të respektuar varfërinë dhe skamjen e tyre, ti vetë duhet të jetosh normalisht përsa kohë që je në detyrë. Pastaj kur të gremisesh nga ai post, kur të dalësh në pension, ndërto vila e bli pallate. Nuk e di a e kini vënë re një lajm që botohej para disa ditësh mbi pasuritë e paluajtshme në Europë. Vende si Danimarka apo Suedia apo dhe vende të tjera europiane kishin një numër të vogël të popullsisë që zotëronte banesa private, më duket diku te 20%.
Këtu te ne kjo shifër është e lartë për shkak të privatizmit të banesave të ndërtuara në kohën e komunizmit. Por komedia nuk mbaron këtu. Nëse do të shohësh makutërinë e zyrtarëve që po u përmendet pasuria këto ditë në shtypin shqiptar, do të vëresh se shumica e tyre e kanë derdhur pasurinë në banesa e garazhe. Shtëpi pafund që i blejnë dhe i shesin, që i japin me qera e i shesin prapë. Pastaj do të vëresh se si pa gjë të keq deklarojnë se kanë marrë kredi deri në 300 mijë euro për një banesë. Me interesin e sotëm i bie që për një kredi të tillë t’i kthesh bankës 450 mijë euro. Po ku i gjejnë paratë që e kanë shlyer bankën? Nga rroga të thonë ose nga shitja e apartamenteve të tjera. Dhe në fakt, ne, budallenjtë e këtij vendi, duhet t’i besojmë. Mirëpo nga kjo përqasje me vendet e zhvilluara popullsia e të cilave ka banesa në zotërim në një përqindje më të ulët se e jona, mund të nxjerrësh edhe një përfundim tjetër që lidhet me stilin e jetës. Të gjithë e dimë tashmë se në Perëndim shtëpia është një hotel në të shumtën e herës dhe se në disa vende ka një çmim të lartë. Kuptimi i jetës në ato vende nuk është kapadaillëku oriental që t’i mburresh gjindjes së mjerë me vila e pishina apo me pallate e me banesa. Kuptimi i jetës në ato vende dhe kënaqësia e saj është diku tjetër. Në radhë të parë jeta në ato vende është lëvizje, punë e sigurtë, pastaj zbavitje dhe shtëpia është një hotel që ka vlerën në fund. Ndërsa shqiptarët janë ende nën ndikimin e jetës orientale që e ndalon kohën. Shqiptari makut që ka si kuptim të jetës lekun dhe paranë e fituar me çdo çmim e ka mendjen të ndërtojë saraje dhe të shetisë me vetura të shtrenjta. Për të nuk ekziston komuniteti, nuk ekzistojnë bashkatdhetarët.
Ata janë sfondi ose pasqyra ku ai sheh pasurinë e tij dhe u tregon atyre se është më i fuqishëm se ata. Ky egoizëm anadollak ka zënë vend sidomos te pasunarët e rinj të Shqipërisë, të cilët janë në garë që të na tregojnë vilat, apartamentet dhe fëmijët e tyre sa herë që u bie rasti janë në garë gjithashtu për të na treguar makinat, orët dhe brekët e plazhit. Krahasimi çalon thoshin grekët e lashtë dhe unë nuk dua të përmend këtu Rokfelerin që e la gjithë pasurinë e tij në trashëgim të universiteteve dhe kërkimit shkencor, nuk dua të përmend as Bill Gates që miliona dollarë e tani në fund edhe miliarda nga pasuria e tij po i dhuron për shkencën dhe për vende të varfëra, jo nuk dua të përmend këta, por dua të pyes: më gjeni një pasunar shqiptar në këta njëzetë e ca vjet që ka bërë një dhuratë, që ka ndërtuar një shkollë, që ka financuar një komunë a bashki të mjeruar? Më gjeni vetëm një!
Krahasimi çalon dhe unë nuk dua të përmend për të disatën herë që femra më e fuqishme e Europës dhe e botës po ashtu, Angela Merkel, që ka tre mandate, pra 15 vjet në krye të vendit më të pasur të Europës, jeton në një apartament 75 m2 dhe nuk e ka ndërruar që prej ditës kur u bë kancelare. Unë nuk dua të bëj krahasime të tilla dhe e di se këta shembuj nuk janë për makutët tanë, por, më lejohet të them të paktën që kur të plotësojnë deklaratat e pasurisë, t’ju vijë turp dhe të skuqen. Në këtë botë askush nuk e ka gëzuar gjënë e vjedhur. Kjo nuk është deklaratë e dëshpëruar, por është një e vërtetë e madhe. Këta makutë duhet ta dinë se ata vetë dhe fëmijët e tyre brez pas brezi do të kujtohen si hajdutët e këtij vendi dhe jo si shtetarë të tij. Kaq mjafton.