Kosova drejt krijimit të “Speciales”
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare sot në mesditë ka vetëm një pikë në axhendë, vendimin për të ftuar seancën e re plenare për Gjykatën Specialen, ndërkohë që gjatë paraditës së sotme vijoi dhe në mesditë përfundoi, pa kourum, seanca e nisur dje.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit u ftua e njoftua zyrtarisht pasi qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e paraditës së sotme, në mënyrë unanime me të gjitha votat u pajtua që të riprocedojë në Kuvend propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Kryeministri Isa Mustafa kërkoi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës “sa më shpejtë ta thërrasë seancën dhe të aprovojë amendamenetet kushtetuese”.
Sipas burimeve të shtypit në Prishtinë, të raportuara sot, “të martën e javës tjetër do të votohet për themelimin e Gjykatës Speciale”.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), shqyrtoi dy projektligje për herë të dytë. Kështu, Kuvendi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta, me amendamente të komisionit funksional, ndërsa nuk pati kuorum për Projektligjin për letërnjoftim, për të cilin u zhvillua një diskutim i gjerë.
Me kërkesë të deputetit Sali Morina, u hoq nga rendi i ditës dhe u shty për sesionin vjeshtor shqyrtimi i vendimit të qeverisë për propozimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës