Aksioni për bllokimin e pikave të karburantit që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencën përkatëse nga Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Institucioni ne fjale njofton se edhe sot janë kontrolluar pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante që nuk disponojnë licencë apo që kanë pasur mangësi në dokumentacion.
Që në orët e para të mëngjesit, institucionet e Bashkisë së Tiranës kanë bllokuar dy pika që tregtojnë karburant në zonën e Zogut të Zi, ndërkohë që gjatë gjithë ditës vijoi puna për kontrollin dhe bllokimin e të gjitha pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.
Aksioni i Bashkisë së Tiranës ka dhënë rezultatet e para pozitive, ku një pjesë e bizneseve të mëdha të tregtimit të karburanteve me pakicë kanë nisur pagesat dhe kanë filluar procesin e plotësimit të dokumentacionit për t’u pajisur me licencë, sipas legjislacionit në fuqi.
Aktualisht, në qytetin e Tiranës e ushtrojnë këtë aktivitet 173 subjekte të palicencuara, të cilat në rast të mospajisjes me licencën përkatëse ose nëse do të tentojnë që të ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugët kryesore urbane, duke formuar xhepa për makinat, në kundërshtim me ligjin dhe pa lejet përkatëse, do të bllokohen menjëherë nga ana e Bashkisë së Tiranës.