Partia Demokratike nuk e çoi deri në fund mbledhjen e parë të saj në komisionin parlamentar të drejtësisë.
Opozita e konsideroi marrëveshjen të prishur nga mazhoranca, sepse ajo donte të votonte 3 dokumentet e prodhuara nga 8 muaj punë me grupt e punës dhe ekspertët vendas e të huaj.
Partia Demokratike kërkoi kohë që dokumenti i Strategjisë së Reformës të mos votohej deri në fund të gushtit, kur opozita do të sillte propozimet e veta sesi e mendon ajo reformimin e sistemit.
Dhe për më tepër, për dokumentin final nuk është kryer një konsultë publike. Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj propozoi miratimin vetëm në parim, por opozita nuk u tërhoq dhe kërkoi mendimin e eskpertëve të huaj.
Si europiani i misionit EURALIUS, edhe amerikani i OPDAT-it thanë se, dokumenti mund të miratohej që sot dhe propozimet e opozitës do të merren parasysh kur të nisë hartimi i projektligjeve konkrete.
Megjithatë, opozita e konsideroi votimin e strategjisë një shkelje të marrëveshjes për transparencën dhe gjithëpërfshirjen dhe deputetët e saj u larguan nga komisioni.
Mazhoranca e votoi vetëm në parim Dokumentin Strategjik të reformës dhe la hapur çdo mundësi ndryshimi për të, duke shpresuar, siç tha kryetari Xhafaj, në përfshirjen e opozitës me propozime konkrete.
/ Top Channel