Sipas Institutit të Gjeoshkencës, lëkundjet e tokës të regjistruara ditët e fundit në vendin tonë quhen mikrotërmete dhe kanë një aktivitet normal, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend me aktivitet sizmik. Por a parashikohen tërmetet, sipas Rrapo Ormenit, kërkuesit shkencor në këtë institut?
“Tërmetet mund të parashikohen, sepse studimet sizmiologjike kanë parashikuar zonat më aktive të vendit tonë. Por nuk mund të parashikohen në kohë, sepse tërmetet kanë procese të ndërlikuara në brendësi të tokës dhe shkenca e Sizmiologjisë e shekullit të kaluar kërkon bazën e saj të matjes së të dhënave, që të arrijë të parashikojë dhe kohën e saktë”, thotë Rrapo Ormeni.
I pyetur nga Top Channel, eksperti i Institutit të Gjeoshkencave komenton edhe deklaratën e Emergjencave Civile, që sipas Ormenit nuk është absolute.
“Ka një logjikë shkencore, sipas të cilës tërmetet mesatare si këto të vendit tonë mund të përsëriten një herë në 50 vite, ndërsa tërmetet e fuqishme që janë me magnitudë mbi 7 e kanë një herë në 100 ose deri në 130 vite ciklin e tyre të përsëritjes, e zakonisht ato bien në zonat që sipas Gjeoshkencës rezultojnë aktive. Por koha është e sigurtë që nuk matet, përtej parashikimeve, pasi mund të bien një herë në 100 vite, por mund të bien edhe dy tërmete në 150 vite”, thotë më tej Ormeni.
Por cilat janë qytetet më të rrezikuara nga tërmetet në vendin tonë, sipas studimeve sizmiologjike?
“Segmenti Elbasan-Dibër ka një thyerje tërthore sizmiogjene, Vlorë, Lushnje, Elbasan, Dibër, që ka qenë dhe është më aktivja në vendin tonë”, u shpreh Rrapo Ormeni. /b.d