Ai është një pjesë e vogël e Amerikës dhe ka rastisur në mes të Paqësorit. Por edhe brenda rrezes së goditjes së raketave të Koresë së Veriut.
Kjo është arsyeja pse ishulli i Guam u ndodh në qendër të vëmendjes të mërkurën pasi Koreja e Veriut kërcënoi se do të krijonte “një zjarr të mbështjellë” rreth tij dhe tha se sulmi do të ndodhë këtë muaj.
Por në ishull jeta vazhdoi normalisht. Njerëzit që kishin mbushur restorantet dhe baret e përcollën lajmin me indiferentizëm nga televizionet.
Banorët e territorit të vogël e gjejnë veten të kapur përsëri në mes të një lufte fjalësh mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
Koreja e Veriut po shqyrton një sulm me raketa pranë ishullit të Guam të SHBA-ve në Paqësor, pak orë pasi presidenti Donald Trump kërcënoi Phenianin se nëse nuk ndalonte kërcënimet do të përballej me zjarr dhe shkatërrim.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut tha se autoritetet po mendonin një plan për të lëshuar raketa me rreze të mesme dhe të gjatë rreth Guam, bazë e bombarduesve strategjikë të SHBA-ve. Në një mesazh për publikun, guvernatori i ishullit, Edi Baza Kalvo tha se aktualisht nuk paraqitet asnjë kërcënim, por sidoqoftë, ata janë të përgatitur “për çdo skenar të mundshëm”.
Deklarata e fundit shënon një rritje të theksuar të retorikës ndërmjet SHBA-së dhe Koresë së Veriut. Komentet e Presidentit Trump erdhën pas një raporti mediatik të “The Washington Post” që pretendonte se Koreja e Veriut kishte prodhuar me sukses një mbushje bërthamore të mjaftueshme për t’u përshtatur brenda raketave të saj. Raporti i Washington Post, i cili citoi zyrtarët e inteligjencës amerikane, sugjeron se Koreja e Veriut po zhvillon armë bërthamore të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara me një ritëm shumë më të shpejtë se sa pritej.Së fundmi, Kombet e Bashkuara aprovuan sanksione të reja ekonomike ndaj Koresë së Veriut, që Peniani i konsideroi si një “shkelje të rëndë të sovranitetit të vendit”, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të paguanin një çmim të kripur.