Familjarët e Pëllumb Marnikollajt, të riut nga Lezha që dyshohet se u vra një vit më parë nga policia greke akuzojnë shtetin helen se po përpiqet me çdo kusht që të fshehë ngjarjen.
Gjithashtu ata denoncojnë neglizhencën e shtetit shqiptar si dhe akuzojnë ambasadën shqiptare në Athinë se po bashkëpunon për fshehjen e së vërtetës.
Kur kanë kaluar një vit nga vdekja e të riut nga Lezha Pëllumb Marnikollaj nga dhuna policore në Greqi ngjarja vijon të mbetet ende pa autor.
Babai i të ndjerit, Nikoll Marnikollaj thotë se hetimet po zvarriten qëllimisht dhe se autoritetet greke po përpiqen me çdo kusht që të fshehin të vërtetën
“Policia me cdo kusht do të fshehë rastin e djalit tonë që e kanë bërë vetë, këtë rast për vdekje kriminale. Por nuk mund ta fshehin kurrë, pasi ne po e ndjekim, dua pasur besim te drejtësia do të zbardhet e vërteta, por po vonohet. Ne kemi besim se do të zbardhet ngjarja, pasi kemi shumë fakte dhe nuk mund të fshehim kurrë atë rast” thotë ai
Babai i viktimës: Ambasada shqiptare bashkëpunon në fshehjen e së vërtetës
Nga ana tjetër, Marnikollaj denoncon dhe neglizhencën e autoriteteve shqiptare. Veç neglizhencës, ai akuzon Ambasadën Shqiptare në Athinë se po bashkëpunon për të mbuluar këtë ngjarje.
“Shteti po neglizhon dhe ne nuk e kuptojmë pse shteti nuk kërkon. Ne kemi bërë thirrje nga mediat dhe me shkrim dhe na tregojnë vetëm kompetencat. Ne jemi mundur për kontakte me ambasadën në Greqi dhe ambasada po mundohet për humbjen e vdekjes së djalit tonë, e cila më 4 është njoftuar, por ka heshtur, që do të thotë po bashkëpunon për humbjen e vdekjes së djalit tonë” thotë ai.
Pëllumb Marnikollaj gjeti vdekjen brenda një rajoni policie në Greqi me 3 gusht të vitit 2016-të.Pas ekspertizës të kryer në trupin e viktimës rezultoi se vdekja e të riut kishte ardhur nga goditja me sende të forta në kokë.