Sa herë që kultivuesit dhe trafikantët e kanabisit janë vënë nën përgjim, në bisedat e tyre flitet për lidhje me zyrtarë të lartë apo drejtues kryesorë të rendit.
Rasti më i fundit është a ii grupit të trafikantëve të Vlorës, që u kapën në vitin 2015 pasi u zbuluar se përdonin një avion sportiv për ta trafikuar hashashin nga Shqipëria drejt Italisë.
Në trafik rezultoi i përfshirë edhe një shef policie, por trafikantët flasin për njerëz “të mëdhenj”, madje për
“të madhin” në Tiranë.
Përgjimet janë kryer me anë të një aparati të vendosur në makinën e Sokol Burhamajt, organizatorit të trafikut, por edhe me metoda të tjera. Një pjesë e tyre, që është zbardhur nga gazeta Panorama, tregon pikërisht lidhjet e trafikantëve me zyrtarë të lartë që u garantonin qetësinë për të kultivuar plantacione të tëra me kanabis.
Ky grup trafikantësh u zbulua falë një hetimi të policisë italiane për dy familje shqiptare, Lamaj dhe Hametaj, që trafikonin drogë me avionë nga Vlora në Brindisi.
Familja Lamaj përdorte një avion “Aeropakt A22S”, në të cilin autoritetet italiane arritën të vendosin një përgjues.
Mjete përgjimi u vendosën edhe në tre makina tip “Audi” që përdoreshin nga trafikantët.
Operacioni i koduar me emrin “Fluturimi i Lirë” nisi më 24 gusht me arrestimin nga autoritetet italiane të Vilson Lamajt dhe të italianit Italo Loreto. Ata po zbrisnin në një pistë të braktisur në komunën e Ostunit avionin me 128 kilogram kanabis që e kishin marrë në zonën e Lumit të Vlorës.
PËRGJIMI 10 KORRIK 2015
Nga përgjimet ambientale në automjetin “Audi A3” me targë DL … NH, më datë 10 korrik 2015, ora 02:23 rezulton një bisedë mes Fatos Burhamajt (Lamajt) dhe Sokol Burhamajt.
Fatosi: I kanë thënë për një person shumë të madh në Tiranë, më i madhi.
Sokoli: Eh, ka marrë 50.000 euro. I ka marrë njëri që ishte atje… ca persona të tretë që kishin dhjetë parcela, 1 mijë a 3 mijë rrënjë kishin vetëm atje.
Ndërsa më 7 gusht 2015 dy vëllëzërit Sokol Burhamaj (Lamaj) dhe Vilson Lamaj flasin për sasinë që do të mbillet. Në bisedën e tyre flitet sërish për implikimin e zyrtarëve të shtetit.
Sokoli: Do të bëhen stallat me rresh me eternity. Vetëm ne do të qëndrojmë atje. 5 – 6 persona me kallash. Do të bëjmë 10 mijë rrënjë. I vendos të thahen atje ku janë bletët. Unë them të bëjmë 1 ton. 10 mijë rrënjë bëjmë 10 ton hashash. Janë 10 ton hashash, vëlla.
Vilsoni: Janë shumë punë or mik
Sokoli: Një ton ia japim shtetit dh etë tjerat i kemi për vete.
Vilsoni: Këtij i duhen mbushur xhepat mirë në mënyrë që të thotë “aaa, po, kam xhepat plot”.
Sokoli: Po çfarë të të thotë tjetër shteti ty.
Vilsoni: Të themi 10-20 mijë rrënjë të vogla dhe më pas kalojmë nga e madhja. 7 – 8 persona dhe çdonjëri ka punëtorin e vet në kopësht.
Nga hetimet nuk rezulton që ata t’i kenë përmendur me emra zyrtarët e lartë. Ndërkohë që hetimet e prokurorisë zbardhën edhe rolet e secilit prej anëtarëve të grupit të ndarë në dy pjesë, në Shqipëri dhe Itali.
Rolin kryesor e luanin vëllezërit Sokol dhe Vilson Lamaj. Sokoli qëndronte në Shqipëri, kujdesej për kultivimin e ngarkesat dhe priste udhërat nga i vëllai.
Pjesë e këtij grupi narkotrafiku ishte edhe efektivi i policisë së qarkut të Vlorës Vladimir Zanaj, i cili jepte informacione për aksionet e policisë.
Fatos Burhamaj ishte gjithashtu pjesë e grupit. Por ai pati një konflikt me vëllezërit Lamaj në lidhje me angazhimet financiare brenda grupit. Krahu i tij ishte edhe Neko Burhamaj, që punonte në plantacionet me kanabis.
Fadil Shehaj rezultonte roje i plantacioneve.