Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi është nderuar me urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, njëri nga katër titujt e nderuar ministerialë të Republikës Franceze që akordohen për personalitete në Art dhe Kulturë.
Ky titull iu akordua Ministres Kumbaro nga Ministrja e Kulturës dhe e Komunikimit e Republikës së Francës, Audrey Azoulay, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez, pasi ajo ka dhënë një kontribut të veçantë në marrëdhëniet kulturore shqiptare-franceze me synimin promovimi i vazhdueshëm i kulturës shqiptare në Francë dhe në Europë, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si ura komunikimi dhe shkëmbimi të vlerave reciproke.
Ministrja Mirela Kumbaro dhe Ministrja Audrey Azoulay nënshkruan në vitin 2016 Deklaratën për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunikimit të Francës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë lidhur me bashkëpunimin kulturor. Urdhri “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” jepet për persona të veçantë që dallohen për kontribute të larta në fushën e kulturës dhe komunikimit në Francë dhe në botë.
ma.me