Shpallja të pandehur dhe nisja zyrtarisht e procesit gjyqësor dje ndaj ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardjan Fullani, risolli në vëmendje edhe një herë skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit.
Por bërja publike e këtij skandali, vetëm sa zbuloi një “gropë të errët” me plot shkelje të ligjit e cila flinte nën kupolën e Bankës së Shqipërisë. Dhe një vit pas këtyre skandaleve, me caktimin e Guvernatorit të ri të BSH-së, duket se gjithçka është sistemuar, por në fakt është e kundërta.
Duke lënë mënjanë “zhdukjen” e 713 milionë lekëve nga “Arsen Lupeni i Shqipërisë” Ardjan Bitraj, Banka e Shqipërisë duket të ketë të njëjtat probleme si një vit më parë.
Kështu, nëpër media qarkullojnë lajme dhe mjaft pikëpyetje në lidhje me blerjen dhe administrimin e godinës së Hotel Dajtit, nga ana e BSH. Po ashtu Guvernatori Gent Sejko, ka tashmë në krah si Këshilltar një ekonomist argjentimas të njohur botërisht si Mario Blejer.
Por shkeljet e ligjit vazhdojnë, dhe për t’i gjetur nuk duhet shkuar deri tek bodrumet e Hotel Dajtit. Ato gjenden pikërisht në Këshillin Drejtues të BSH-së. Nuk bëhet fjalë për plotësimin e vendeve vakante të Këshillit Drejtues, por për dy anëtarët Dhori Kule dhe Petraq Milo.
Ashtu si një vit më parë këta dy anëtarë vijojnë të jenë në Këshillin drejtues të BSH-së, pavarësisht se tashmë është e ditur që të dy bëjnë pjesë në Partisë Demokratike. Madje që të dy këta persona janë aktivë në radhët e selisë blu, duke shkelur ligjin, i cili ndalon anëtarët e Këshillit të jenë aktiv në politikë.
“Çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi Popullor, në qoftë se ai ose ajo: gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike”, thuhet në nenin 47 të ligjit.
Kështu, Dhori Kule, veç postit në Këshillin Mbikqyrës të BSH dhe faktit që është Rektor i Universitetit të Tiranës, mban dhe mandatin e anëtarit të Këshillit Bashkiak në Tiranë si dhe delegat i Partisë Demokratike. Ndërsa rasti i Petraq Milos është edhe më flagrant. Ai është angazhuar në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në 2013 në fushatën e PD-së në Gjirokastër.
Por që të dy kanë një të përbahkët: morën pjesë në votimin e Këshillit Kombëtar të PD-së këtë vit. Madje Petraq Milo ishte edhe kandidat për anëtar Këshillit të PD-së, post të cilin e fitoi. Kësisoj, Banka e Shqipërisë, institucioni më i lartë bankar në vend vijon të jetë në shkelje të ligjit, për aq kohë sa në Kupolën Drejtuese vijon të ketë anëtarë dy persona të cilët parashikohen të jenë jo partiak, përshkak të postit që ata mbajnë në Bankën e Shqipërisë. Për të mos zbritur më pas deri tek bodrumet e Hotel Dajtit…