Nga Sokol Balla
Të gjithë mendojmë njësoj: vera eshte si eshte, po të paktën edhe politikanët pushojnë në verë. E marin makutërinë në barkalecët e tyre të shëmtuar dhe i bëjnë xhiro me jahtin e “një shoku”. Duke na lënë së paku rehat deri nga shtatori.
Por jo. Nuk është kështu. Politika shqiptare është si turni i trete i Europa League, ai luhet në zhegun e vapës, me rroba banjo.
Ky nuk ishte sezon i zakonshëm. Politika bën bilancin në një vit zgjedhor. Dhe sigurisht që secili nga polet kerkon te justifikojë cfare humbi dhe të hiperbolizojë cka fitoi. Dhe këtu llogaritë ngatërrohen pak. Sepse pyetja kush humbi e kush fitoi, nuk e ka përgjigjen kaq të lehtë.
Përshembull, Basha mund të krenohet se PD ja arriti të rrinte në vendin e dyte që po i kërcënohej nga Meta. Mund të thotë gjithashtu se edhe me vota kombetare nuk doli keq, pavarësisht se humbi dy të tretat e bashkive në garë.
Por Basha nuk mund të mburret ende për një gjë esenciale për lidershipin e tij te ri. Askush nga pinjollët e rinj, nuk arriti në majën e një gare. Dikush mund të thotë se vetëm një Fallxhore mund të parashikonte fitoren e Gridës, por fakt është që ai e hodhi në rastin më të mirën, në mes të ujqërve që e trajtuan ashtu sic ata mendojnë që duhet. Basha duket ka humbur pas këtyre zgjedhjeve, pjesën tradicionale në PD, që ka bërë ligjin prej 25 vjetësh në Selinë Blu. Në kushtet kur raporti i tij me Metën është përkeqësuar pa kthim, dhe në politikën jashtë mureve të PD, vetëm një marrëveshje politike e re, me kreun e maxhorancës mund t’i largonte mundësinë e një dimri të ashpër për të.
Meta dihet: humbi gjithcka për të cilën luftoi fort. Cështja Doshi i rihumbi imazhin e ri që mezi kishte ndërtuar. Llogaritë e gabuara për dje e sot mbi Vorën e cuan në gabime të rënda: nga mbyllja qesharake e mitingut atje, tek sjellja e pahijshme e te tijeve kur moren vesh se Vora u iku. Nuk di nese janë këto arsyet, por mendoj se logjikisht janë edhe këto arsyet e një ftohjeje me Amerikanët. Jo se është ndonjë gjë kushedi se cfare, por Meta i mendon pak ndryshe këta ndërkombëtarët. Tani cështja është: a po pranohen këto gabime në LSI? Sinjalet janë se jo. Atje faji për zgjedhjet po kërkohet tek Mimi Kodheli për Lezhën, të cilën tani e ruajnë edhe pse dhe ku ikën jashtë shtetit, në kërkim të pretekstit për të justifikuar largimin e saj nga kabineti. Këto janë shenjat e krizës së marrëveshjes Rama Meta. Të dy kishin rënë dakort të mos përziheshin tek punët e njëri tjetrit, por zgjedhjet provuan të kundërtën dhe tashmë secila nga palët mendon për tjetrën se i ka punuar kundër. Meqë loja me Bashën tani është e pamundur për shkak tetë muajsh agresiviteti, Meta ka kthyer kokën nga qeveria, ku vec ndryshimeve tek të vetët, tani ka shkelur vijën e demarkacionit dhe kërkon kokën e Kodhelit, Ahmetajt, Nikollës, ndërsa paralajmëron një dublim të fortë të Velisë në bashkinë e Tiranës. Meta e di që nuk i mer të gjitha por bllofisti i vjetër mendon se një marrëveshje e re politike Rama Basha si e vetmja armë që e shkatërron atë vetë dhe misionin e LSI, është thuajse e pamundur. Dhe këtu ai po gabon sërish.
Era e ftohtë e stepave të Metës nuk fryn për herë të parë në plazhin nudist dhe shpërfillës të Ramës. Prej gati një viti është përfolur se mes tij dhe Bashës ka një simfoni “në ajër”. Këtë e provojnë edhe pickimet e forta nga brenda PD kundër Bashës, nuk përjashtohet edhe më ndikimin e Berishës, i cili nuk ka interes që lodra e tij të ndryshojë valët e telekomandës.
Por reforma në drejtësi është gracka e gjithë armiqve të brendshëm e të jashtëm të tij dhe Ramës. Eshtë rasti unik kur mbi 40 ligje do ndryshohen a ribehen dhe kur ndërhyrja mbi kushtetutë tashmë është realitet. Po sikur përvec këtyre ligjeve, palët të kërkojnë sërish një reformë rrënjësore elektorale, duke filluar nga zgjedhja e presidentit e deri tek ndryshimi i menyrës sesi të llogaritet vullneti elektoral i shqiptarëve?
Edi Rama një simpatizant i lëvizjeve të Renzit në itali, me siguri ka ndjekur mënyrën sesi kryeministri italian po zgjidh krizat italiane: duke i përqëndruar gjithcka në duart e Njëshit. i tillë është edhe italicum, ose ligji elektoral me prim. Në Ballkan e ka Greqia, në Europë Britania. Vetë Berisha pat thënë se në 2008 i pat propozuar Ramës këtë, por ai nuk kishte pranuar. Por sot gjërat kanë ndryshuar: një ligj elekloral Albanicum, pra me prim, do ti jepte 30 përqind partisë që dilte e para në zgjedhje. Efekti i parë: parlamenti nuk do jetë në krizë votash për mazhorancën. Efekti i dytë: Ilir Meta dhe LSI, dalin jashte loje.
Meta e di këtë, por njëkohësisht nuk ka se cfarë të bëjë tjetër, vecse të kërcëllijë dhëmbët në distancë, të kërcënojë për kriza qeveritare dhe përhapë llafin se ne 2017 do dali i vetëm në zgjedhje.
Asgjë nga këto nuk ka për të ndodhur. Në një rast të ligjit Albanicum, LSI do pranojë alternativën e vetme për 2017: të shkrihet me PS në shkëmbim të marrjes së postit të Presidentit. Në të kundërt Nishani i afrohet një mandati të dytë, ndërsa vendi për here të parë në kohë paqeje, një qeverie bashkëpunimi PS PD deri në zgjedhjet e ardhshme Lokale. Ndërkombëtarët të lumtur, Luli i Lumtur (se ja del te fshehë kështu humbjen) dhe Meta i humburi i madh.
Fitues ka vetëm një: këtë vit, sot dhe se paku sezonin e ardhshëm politik. Kur ishte në opozitë e kishte me pasion të na mbushte mendjen se nuk ishte politikan, se politika e tij ishtë mjet dhe jo qëllim. Por koha tregoi se Edi Rama me pushtetin e Kryeministrit u shndërrua në një politikan perfid, të zgjuar, të guximshëm dhe të rrezikshëm. Nëse doni të dini se kush ishte fituesi i këtij sezoni politik, përgjigjen do ta keni të njëjtë edhe për dy vitet e ardhshme: ai është Edi Rama.