“Pse fëmijët e sotëm janë shumë të rrezikuar nga pedofilia, rreziqet e inçestit, dhe dhunimi seksual”, thotë sociologu Gëzim Tushi. Sipas tij në ditët e sotme shthurja e strukturës familjare edhe varfëria kanë ndikuar që të shtohet numri i fëmijëve që janë të rrezikuar. Por edhe ana tjetër e medaljes, ajo e një familje të pasur ka efektet e veta…
Nga Geljano Fataj
Në vetëm dy muaj, dy raste abuzimi me të mitur janë denoncuar, i pari ishte ai ku mësuesi Demir Hoxha abuzonte me nxënësen në një fshat të Divjakës, e ndërsa kjo zonë dhe gjithë opinioni tronditet sërish nga një histori shokuese që në fokus ka përsëri një fëmijë të abuzuar seksualisht. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kryekuq, rreth 15 kilometra nga qytetit i Lushnjes, ku Selman Çarçiu, sipas policisë ka kryer marrëdhënie me një 12-vjeçare për 3 muaj rresht. Mësohet se 12-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e nënës së saj për të denoncuar në polici përdhunimin sistematik që i është bërë nga i moshuari. Pedofili ka në pronësi të tij një dyqan ushqimor në qendër të fshatit, ndërsa “karremi” për të joshur të miturën ishin produkte të konsumit të përditshëm në këmbim të favorit seksual. Vajza 12-vjeçe sapo kishte mbaruar klasën e 6 në shkollën “Hysen Malko” dhe në shtator do të hidhej së bashku me moshatarët e saj në klasë të shtatë. E mitura në prani të psikologes ka rrëfyer pak gjëra përpara grupit hetimor.
E tronditur dhe shokuar, ajo pohon se ngjarja ka ndodhur në dyqanin 66-vjeçarit. Hetuesit dyshojnë se ndaj vajzës është abuzuar në mënyrë sistematike, madje edhe 3 herë në javë, fakte këto që do të vërtetohen pasi të bëhet kontrolli gjinekologjik nga ekspertët e fushës. “Unë nuk i kërkoja gjë, ai m’i jepte vete dhe më thoshte që t’i dërgoja në shtëpi”, ka treguar vajza e mitur. Por përse ndodhin këto raste abuzimi? Sociologu Gëzim Tushi thotë se rastet e fundit të pedofilisë, të abuzimit seksual me fëmijët janë fenomene shumë shqetësuese nga pikëpamja sociale dhe në një farë mënyrë janë dëshmitare që tregojnë se shëndeti i shoqërisë shqiptare nuk është i mirë.
“Ky është një fenomen që i thënë troç përbën një turp social, përbëjnë një neveri sociale nga e cila të gjithë njollosemi. Abuzimi me fëmijët i çdo forme e sidomos seksuale është forma më e rëndë, forma më e shëmtuar sepse shkarkohet mbi atë qënie që për shkak të moshës, nivelit të pjekurisë së tyre, turbulencave seksuale, bëhen viktima të dhunës të abuzimit dhe nënshtrimit seksual. Në këtë pikëpamja shoqëria shqiptare duhet të ngrejë alarmin social, që kjo shtresë më e pambrojtur siç janë fëmijët, përveç problemeve që kanë me moshën e tyre, ndodhen përballë rreziqeve të agresioneve të ndryshme. Nëse vlerësojmë enumeracionin e rasteve të ndodhura, tipologjinë e tyre, morfologjinë e realizimit të abuzimit seksual me fëmijët nga veriu deri në jug them që format në përgjithësi janë anti-humane dhe të përbindshme. Në jemi të detyruar që të mos flasim me vellon e mashtrimeve, duke thënë se këto fenomene në shoqërinë tonë nuk përbëjnë fenomen tipik. Ne duhet t’i themi të vërtetat troç. Fëmijët e sotëm janë shumë të rrezikuar nga pedofilia, rreziqet e inçestit, dhe dhunimi seksual”, thotë sociologu Tushi.
Sipas tij në ditët e sotme shthurja e strukturës familjare edhe varfëria kanë ndikuar që të shtohet numëri i fëmijëve që janë të rrezikuar. Por edhe ana tjetër e medaljes, ajo e një familje të pasur ka efektet e veta. “Ka dhe fëmijë që jetojnë mirë ekonomikisht të cilët rrezikohen për shkak të mirëqenies së lartë që kanë. Kjo mirëqenie ndikon në atë që unë e quaj revolucion fiziologjik, fëmijë që për shkak të mirëqenies kanë një pjekuri të parakohshme seksuale, kanë një rritje të jashtë zakonshme fizike, piqen seksualisht shumë shpejt. Turbulencat e seksualitetit ngatërrohen me mishin e njomë të këtyre fëmijëve. Dhe këta fëmijë rrezikun e parë e kanë nga vetja. Fëmijët e sotëm përbëhen nga një lloj materieje tjetër, dhe rreziku i parë ju vjen nga brenda, është ontologjik, i lidhur me zhvillimet që nuk varen prej tyre dhe kjo është e shoqëruar me një fenomen që opinioni shqiptar e njeh, uljen e moshës së fillimit të aktivitetit seksual”, shpjegon Tushi.
Sociologu është i ashpër kur e pyet se çfarë masash duhet të merren për abuzuesit. Gëzim Tushi thotë se për parandalimin e këtyre ngjarjeve, abuzuesit duhen të bëhen shembull, sa i përket dënimit të tyre. “Fëmijët janë të paprekshëm, por dhe familja duhet t’i mësojë fëmijës disa gjëra që të rruhet nga manjakët seksualë. Nuk mund që fëmija të komunikojë në internet me çdo njeri”. Ai ngre alarmin se në qytete të mëdha ky fenomen është më i përhapur. “Në këto xhunglat urbane siç janë bërë sot qytetet në Shqipëri, mundësitë dhe kushtet që manjakët seksualë të abuzojnë më fëmijët janë të mëdha. Në fshat një rrugë ka, kurse në qytet edhe kushtet fizike për të abuzuar me fëmijët janë të mëdha”.