Arkitektja e njohur shprehet për ato që kanë ndodhur sa i përket zhvillimeve urbanistike të qytetit tonë. Shumë aktive në këto zhvillime, ajo e ka shprehur gjithnjë opinionin e saj për qytetin, që sot, është vendbanimi i plot 1 milion shqiptarëve. Ndërkohë, specialistja e njohur po përgatit një studim më të detajuar për këtë problem…
Nga Ben Andoni
Ditët e fundit, teksa shumë arkitektë fshiheshin dhe mundoheshin të zbusnin qëndrimin e tyre për Hyrjen e Parkut të Liqenit artificial, Shpresa Leka, një nga arkitektet më të vjetra të qytetit tonë, jo vetëm nuk shmang, por e shpalli hapur qëndrimin e saj: ”Volumet që janë përdorur, u shpreh ajo, janë të gabuar dhe hyrja e Parkut duhet parë me kujdes. U bë mirë që përgjigja për konkursin do të jepet në shtator, por megjithë respektin për studiot e huaja, duhen marrë parasysh më shumë studiot shqiptare”.
…
Në një nga këto ditë, ajo shpreh për “JAVA” shqetësimin e vet për Tiranën, por edhe për të ardhmen e saj urbanistike. Ashtu si dihet, Qyteti i Tiranës ka sot realisht pamjen e një metropoli evropian “por ajo që ka rëndësi për t’u diskutuar është fakti se a po zhvillohet ai në drejtimin e duhur si në aspektin strukturor urban ashtu dhe në atë estetik?”, shprehet ajo.
Ajo, që e shqetëson arkitekten e njohur, është mungesa e një debati të gjerë, më së pari me specialistët e fushës ashtu dhe me operatorë aktivë dhe zhvillues të territorit. “Në Tiranë sot janë të materializuar në volumetri ndërtimore një kaos i vërtetë objektesh, pasojë e sistemeve që njeh historia e zhvillimit të qytetit. Këtu gjen zona të tëra me ndërtime 1-2 katëshe diku në gjendje të mirë, diku të rrënuar ose pjesërisht të rrënuara që presin të futen në ”sallën e rehabilitimit volumor” dhe shumfishimit të tyre në pallate gjigande, ndërmjet tyre komplekse godinash 4-5 katëshe, të cilat si për ironi të kohës që u ndërtuan ”mbajnë mbi shpatullat e tyre” tentativën e dëshpëruar volumore të shtesave gunga-gunga, tashmë të legalizuara. Me një kashirllëk të dukshëm, vende-vende lartësohen volume godinash shumëkatëshe mbi 8 kate e përtej që kanë shfrytëzuar cep më cep pronën dhe në mënyrë të dhunshme kanë shfrytëzuar fare pa konsensus hapësira publike, prona kufitare madje dhe i kanë kapërcyer ato. Edhe disa arritje në drejtim të kritereve urbane që u trashëguan janë dhunuar si mos më keq”, thotë ajo.
Ndërkohë territoret e çerdheve, kopshteve, shkollave e shumë objekte të tjera social-kulturore janë ngushtuar atje ku nuk mban më dhe thjesht ajo që është bërë nga jashtë ka synuar të tregojë se gjërat s’janë aq keq. Por a është kështu? Në fakt, lyerjet dhe zbukurimet nuk e shërojnë dot këtë plagë të madhe që solli ky tranzicion i tmerrshëm në urbanistikë.
“Për të mos folur më tej për zhdukjen e hapësirave publike, sportive e zonave rekreative. Së fundmi kjo e keqe e madhe e zhvillimit i është vërsulur pa mëshirë parkut periferik. Po kur do ndalet ky vrull keqbërës? Po të kemi një sy magjik apo një skaner virtual dhe të shohim nëntokën mund të pësojmë një infarkt”.
Zhvillimi i mëpastajmë…
Ajo që e shqetëson realisht profesionisten është se qytetit tonë i mungon vizioni i zhvillimit. Në ditët tona Tirana vazhdon të zhvillohet pa u ndalur, dendësia rritet, por ndërkohë rrugët kanë mbetur po ato, madje, të mos harrojmë se trotuaret janë ngushtuar, numri i makinave është rritur. Gjelbërimi i viteve të fundit ka qenë thjesht një hap i mirë por që nuk mund të rikuperojë atë që i është bërë Tiranës së gjelbër në këto 25 vjet.
Mes shumë elementëve, që do ndikojnë në zhvillim, ajo merret edhe me arteret hyrëse të qytetit. Rrugët hyrëse në Tiranë, ato radiale janë nga me kryesorët dhe të rëndësishme që jetësojnë këtë qytet që po rritet me shpejtësi por dhe rrugët unazore apo pjesërisht unazore kanë një funksion po aq të rëndësishëm në lëvizje.
Megjithëse, sipas saj, zhvillimi është bërë i pjesshëm, i copëtuar pa menduar integrimin e zhvillimit perspektiv me gjendjen aktuale. Këto 25 vitet e fundit ky vizion është mbytur nga politika, e cila nuk i ka krijuar hapësirat e duhura mendimit profesional madje dhe kur ky mendim ka guxuar të thuhet ai nuk është vlerësuar apo është mbytur, shprehet ajo.
“Debate dhe konkurse janë bërë dhe madje dhe publike por kur procesi ka hyrë në rrugën ligjore është e vështirë të ndalet. Unë mendoj se duhet të zhvillohen diskutime të lira jo vetëm qytetare të thjeshta dhe me interesa prone por diskutime të lira me profesionistë të mirëfilltë urbanistë dhe arkitektë që merren direkt me planifikimin e territorit madje dhe të monitoruar nga shoqata e arkitektëve, e cila nuk e ka luajtur sa duhet rolin e saj.
Nuk mjaftojnë diskutimet e zakonshme në kafene por forma të lira dhe të monitoruara të urbanistëve dhe arkitektëve e inxhinierëve, të cilët duhet të propozojnë zgjidhje të thjeshta e të besueshme për të ndryshuar sa më parë gjendjen”.
Ajo, ka ngritur për publikun dhe shqetësimin që lidhet në zhvillimet aktuale në Tiranë e bashkohen me ndërhyrjet që bëhen në situatë pak a shumë të ekuilibruara në aspektin urbanistik.
Planet rregulluese
Por znj. Leka ka menduar që të shprehet vetë dhe të shpjegojë më mirë për publikun të gjithë problematikën urbanistike të qytetit. Në këtë shkrim po cekim pak, ndryshimet me syrin e saj pas viteve ’90.
“Ndryshimi i sistemit e gjeti Tiranën me Planin Rregullues të miratuar në vitin 1989, ku ishin të përcaktuar të gjitha zhvillimet që ofronte ai sistem si p.sh. zonat se ku duheshin bërë ndërtimet e reja, ku duheshin ngritur objektet e reja social-kulturore, ekonomike e të shërbimit Qendra e qytetit ishte e ndërtuar dhe në gjendjen që është sot pothuajse.
Vlen të theksohet se ky plan kishte në mbrojtje shumë hapsira publike e parqe të gjelbëruara dhe parku i madh në periferinë jugore të qytetit në këtë periudhë pati konsolidimin dhe zgjerimin e tij më të madh.
Gjithashtu sipas këtij plani ishin të përcaktuara dhe zonat ekonomike e të prodhimit, të cilat përgjithësisht ishin të pozicionuara në periferinë e qytetit.
Duke qenë se para viteve ‘90 nuk kishte automjete private trafiku i tyre ishte shume i vogël dhe nuk përbënte asnjë shqetësim”.
Por, pas viteve ‘90 dhe veçanërisht në periudhën 1991-1997 qyteti i Tiranës u trand dhe sidomos nga problemi që doli me aspektin territorial. Arsyhet dihen: Iniciativa e lirë private, njohja dhe kthimi i pronave, dhe demokracia e brishtë që po instalohej krijuan një situatë tepër të vështirë në territor dhe të kësaj periudhe janë kioskëzimi i të gjitha hapsirave publike e private, zënia e territoreve të gjelbërta me ndërtime si dhe ndërtimet masive informale që e rrethuan periferinë e qytetit, shton ajo.
“Në këtë kohë u bënë disa tentativa për hartimin e planit rregullues të qytetit në situatën e krijuar. Me ndihmën dhe asistencën e qeverisë austriake u hartua një draft i planit rregullues, i cili nuk pati sukses sepse nuk pasqyronte dhe zgjidhte si duhet problemet e territorit për shkak të mosnjohjes së mirë të problematikave ekzistente. Ky plan mbeti në letër i parealizueshëm.
Pas këtij plani, u dha një asistencë nga USAID për trajtimin e zhvillimit të qytetit, por edhe kjo asistence nuk arriti atë që kërkonte situata e krijuar sepse ky studim u përqendrua në idenë e krijimit të Tiranës së madhe dhe u përqendrua në anën veriore të qytetit në drejtim të Bathores dhe Paskuqanit, dhe ky plan dështoi.
Në mandatin e tretë si Kryetar i Bashkisë Tiranë Edi Rama ndërmori nismën e hartimit të Planit Rregullues të kryeqytetit, të cilin Bashkia Tiranë e përgatiti në bashkëpunim me studion zvicerane URBAPLAN.
Në përfundim kjo nismë rezultoi në hartimin e një dokumenti urbanistik me vlerë, por që në vetvete paraqiste një analizë strikte brenda kufirit administrativ të qytetit, pra ishte një dokument që nuk përfshinte popullsinë dhe territorin fizik që faktikisht bënte jetën dhe aktivitetin në Kryeqytet, por përjashtonte një pjesë të tij, pjesë e cila me ndarjen e re territoriale tashmë i përket dhe është e përfshirë në Bashkinë e Tiranës”.
Gjithsesi pavarësisht nga këto çështje si rezultat i luftës politike ky studim nuk arriti formën ligjore të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ajo shprehet e shqetësuar për të, por edhe të gjithë zhvillimin e mëvonshëm, që do mund t’i diktohet Tiranës po u vazhdua kështu.
“Me ardhjen në krye të Bashkisë së Tiranës të Lulzim Bashës dhe siç ndodh nga premtimet elektorale edhe ky Kryetar i Bashkise hartoi me stafin e tij një plan tjetër rregullues, me koncepte për mendimin tim tepër të gabuara që e rriti akoma më shumë mundësinë e abuzimit në përdorimin e territorit. Nëse plani i hartuar në mandatin e Edi Ramës u kritikua për betonizim edhe ky plan ndoshta edhe më shumë krijonte mundësinë e abuzimit mbi territorin e Tiranës ekzistuese. Këto dy plane nuk ishin alternativa të mira për të shpëtuar qytetin nga degradimi mjedisor dhe përmirësimi i cilësisë së jetesës si në qytetet e tjera Europiane”, mendon ajo.
Çfarë mund të bëhet
Por, nuk mbaron këtu: Ndarja e re territoriale e vendit i ka dhënë kryeqytetit një kufi tejet të zgjeruar dhe e ka vënë bashkinë e kryeqytetit në një sfidë të vërtetë. Problemet e zhvillimit të territorit tashmë janë mjaft komplekse dhe kërkojnë një bashkëveprim dhe një bashkërendim kompleks si në aspektin e zgjidhjes së problemeve që janë trashëguar në vite ashtu dhe në aspektin e integrimit dhe bërjes pjesë organike të periferisë së kryeqytetit, pjesë të bashkisë.
“Në plan të parë dhe tepër urgjente janë sistemimi dhe zgjidhja e problemeve të trafikut qytetas dhe lidhjes së tij me periferinë, përcaktimi i zonave prioritare që gjeneron punë dhe hapje të vendeve të reja pune, ruajtja e zonave me vlerë dhe ato natyrore e mjaft problem të tjera.
Plan i ri rregullues në fazën e parë duhet të zgjidhë problemet e emergjencës që nxjerr kufiri i ri territorial dhe ku strategjia mbi territor duhet të rakordohet me politikat shtetërore rajonale dhe nacionale të territorit.
Pa një strategji të qartë nacionale dhe rajonale ky proces do të jetë tejet i vështirë. Prandaj është i nevojshëm dhe debati me ekspertë të fushës me qëllim që të ndihmoje në arritjen e rezultateve sa më të mira” e përfundon ajo, duke lënë shteg për një sqarim të detajuar më vonë. Tirana është realisht para sfidave, por sfida më e madhe është që kolegët e saj, duhet t’i shikojnë problemet në sy dhe të mos manovrojnë, thjesht që ta kenë mirë me pushtetin.